A kishte lidhje Xhoi me shoferin e kazinosë? Nëna: Kush janë dy kolegët që dinë të vërtetën për vdekjen e saj

Zonja Abongo akuzon drejtpërdrejtë shtetasin Rodi Barçi, 32-vjeçarin që shërbente si shofer i kazinosë.
Me të riun, vajza dyshohet se ka pasur një raport intim. Sipas nënës së saj, i riu i cili është shoqëruar për t’u marrë në pyetje, e përndiqte vajzën.
Mjaft i dyshimte duket edhe qëndrimi i shoqes së saj Emily, për të cilën nëna Ruth dyshon se fsheh diçka.
Emily Mutua, është vajza tjetër keniane e cila ka bërë kallëzimin e parë për shoqen e humbur. Por, ajo nuk ka njoftuar menjëherë policinë sapo ka vënë re një skenë të dyshimtë në rezidencë. Ajo ka ngrënë, ka fjetur, është zgjuar dhe pastaj është kujtuar të njoftoj eprorët e kompanisë ku punonte dhe policinë.
Vajzat kishin komunikuar përmes WhatsApp deri mbrëmjen e 13 gushtit 2022, 13 orë përpara se Joice Ayoko të gjendej e sakatuar. Në mëngjes kur Emily hyn në dhomë, vëren gjëra të pazakonta. Krevati i Joyt që ishte ngjitur me të sajin ishte I rrëmujshëm, sikur dikush kishte luftuar aty.
Ushqimi i shpërndarë gjithandej. Nëse vajza ishte hedhur nga banesa për tu vetëvrarë, si ka mundësi që dritaret banesës ishin të gjitha të mbyllura.
“Kur ti qëndron me një shoqe, ti e mban fort. Si vjen në shtëpi në mëngjes, ato punonin bashkë, ndanin të njëjtën shtëpi, Ti vjen në shtëpi, dera është e hapur, e gjen rrëmujë shtëpinë dhe ti bie për të fjetur pa u shqetësuar? Krevatet e tyre ishin ngjitur” u shpreh Ruth Agongo, mamaja e Xhoit.
Inside Story shkoi te Flouer Residence për të parë vendngjarjen dhe për të pasur komunikime të mundshme me administratorët aty apo fqinjët e lagjes.
Dera e rezidencës ishte hermetike. Qëndronte gjatë gjithë kohës e mbyllur. E pazakontë për një hotel, a hotel ku recepsioni është i hapur për të gjithë. Dera hapej sa herë kishte një bujtës që hynte apo dilte në rezidencë.
E pazakontë ishte edhe mungesa e një numri telefoni në internet. Nëse ti dëshiron të rezervosh një dhomë, mund ta bësh vetëm përmes faqes së rezidencës përmes e-mailit.
Madje pas ngjarjes, kompanitë si booking.com e kanë ndërprerë bashkëpunimin me këtë rezidencë. Po ashtu rezidenca kishte instaluar kamera, të cilat nuk ishin përpara dhe gjatë ndodhjes së krimit më 13 gusht 2022.
Ne i ramë disa herë ziles së derës dhe nuk na u përgjigj njeri. Mandej në një moment doli një punonjës prej derës I cili u tregua I ashpër me grupin e xhirimit.
Një nga fqinjët, në të djathtë të vilës së pabanuar ku Xhoi u gjend pa ndjenja, u përgjigj se atë natë kishte dëgjuar sherr, por kaq. Ai tha se nuk donte të përzihej përderisa edhe policia nuk kishte mbërritur në kohë.
Fqinjët e tjerë nuk pranuan të prononcoheshin. Disa adoleshentë që dukeshin që ishin në dijeni thanë se vajza keniane ishte e dhunuar keq, gjysmë lakuriq dhe me tuta të shkurtra dhe kanatiere. Këto informacione, konfirmohen edhe nga ajo që kishte thënë shtetasja gjeorgjiane para oficerit të policisë gjyqësore.
Në vendngjarje ne takuam një djalë rreth të 30-ave që pretendon se ka qenë i pari që ka dhënë ndihmën. Ai ka njoftuar ambulancën e cila sipas të riut ka mbërritur 20 minuta pasi është njoftuar. Kurse policia nuk mbërriti edhe për shumë kohë pasi ishte larguar ambulanca.
Në dosjen hetimore thuhej se në vendngjarje ishte gjetur një shishe alkooli dhe shiringë, prova që mund të mbështesnin pistën e vetëvrasjes. Por, çuditërisht, dëshmitari që mbërriti aty para policisë mohon ti ketë parë këto sende. I riu thotë se nuk kishte vënë re gjak, por vajza ishte e sakatuar dhe rënkonte.
A kishte lidhje intime Xhoi me shoferin e kazinosë? Dyshimet e të ëmës
Nëna e Xhoit zbulon se Emily shkon të jetojë me Xhoin te Flauer rezidencë vetëm 5 ditë përpara se ngjarja të ndodhte.
Çuditërisht, menjëherë pas incidentit, Emily kthehet te banesa e parë në zonën e Ali Demit dhe nuk vjen më tek Flouer Residence.
Veprimet e para hetimore, Policia e Shtetit, do ti kryente më 15 gusht 2022. Dy ditë pas ngjarjes. Kohë kur edhe ka dërguar materialin për vlerësim në prokurorinë e Tiranës. Policia nuk e raportoi ngjarjen. Ajo u bë publike pas 3 muajsh.
“Jemi në Shqipëri. Fërkohen dy makina, del çarçaf deklaratë, ka vdekur një njeri informacioni i hermetizuar. Gjërat që mbahen në terr, krijojnë probleme” u shpreh eksperti i kriminalistikës, Artan Rexhepi
?Nëna e Joyt gjatë dëshmisë së saj ka treguar se Xhoi kur nuk ishte në punë, dilte me shoqërinë. Katër ditë para ngjarjes ajo ishte në Durrës me mikun e saj Rodi Barci.
I cili ishte edhe një nga shoferët e kazinosë ku Xhoi punonte. Ato ditë kishte qenë edhe në Jug të vendit, ku mendohet se dikush kishte abuzuar seksualisht me të.
Xhoi ishte shumë aktive në rrjetet sociale. Edhe udhëtimin në Durrës ajo e kishte publikuar në Tik Tok.
Në këtë ngjarje të mbushur me mister ata që pretendohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen janë Emily Mutua, Xhoi Brenda që është shoqja e ngushtë e Joit, Rodi Barçi shoferi dhe një personazh tjetër, biznesmen në moshë të mesme i paidentifikuar publikisht deri më tani.
“Shoferi në Durrës nuk ishte treguar i mirë me të. I kishte qëndruar shumë afër. Ishte shumë protektiv dhe ekspresiv sikur të ishin në një marrëdhënie. Xhoi i kishte thënë pse sillesh në këtë mënyrë sikur të ishe i dashuri im?
Ai i kishte thënë që unë dua të jem. Por Xhoi nuk kishte pranuar. Më parë shoferi i kishte kërkuar Xhoit marrëdhënie romantike, por ajo kishte refuzuar. Ai e kishte ndjekur për dy javë. Kur Xhoi e kishte vënë re i kërkoi të përgjigjej pse po vepronte në këtë mënyrë.
Do të të raportoj në kompani I kishte thënë. Më pas shoferi i tha nuk të shqetësoj më. Mos ki merak. Mos më raporto thjesht doja të dija pse më refuzon dhe po të ndiqja për të kuptuar nëse po të pengon dikush.” u shpreh mamaja e Xhoit, Ruth Abongo.
Nëna e Xhoit në lotë shpjegon gjatë intervistës me Inside Story se shoferi e përndiqte Xhoin prej javësh. Këmbëngulja e tij për të pasur një raport intim me të bijën, ka ngritur dyshime të fort ate nëna.
“Ai e përndiqte. Mbante një kapele dhe përndiqte Xhoin nga mbrapa me duar në xhepa. Ai fshihej se nuk donte që Xhoi ta kuptonte. Ajo i tha se nuk dua të kem marrëdhënie dashurie me ty se kam dikë tjetër” u shpreh Ruth Abongo, mamaja e Xhoit.


