Majko "kriminel elektoral" siç tha Berisha? Përgjigjet Dash Sula: Edhe ne kemi pasur oferta nga bandat

“Nuk besoj që Pandeli Majko është njeri me aktivitet kriminal si disa kolegë të tij të mazhorancës, të cilët në marrëdhënie me bandat, krimin e korrupsionin, por në aspektin elektoral Majko është i përfshirë”.
Këtë përgjigje dha në A2 CNN deputeti demokrat Dashnor Sula, pas deklaratës së Sali Berishës se Majko është një kriminel elektoral, çka bëri që ky i fundit t’i kërkojë Elisa Spiropalit të kërkojë informacione në Shërbimin Informativ, si edhe u shpreh i gatshëm për lënien e mandatit.
Sula pranoi se edhe demokratët kanë pasur oferta nga bandat për bashkëpunim në zgjedhje, por nuk kanë pranuar. Dhe kjo sipas tij është diferenca me socialistët.
“Si puna e atij që thotë filmi: Gëlltit një lugë çorbë dhe vjell gjithë jetën. Ju mendoni që nuk kemi pasur oferta ne për bashkëpunim me bandat, për njerëz, për vota? Por nuk e kemi bërë, se sot merr një privilegj e ke të varur pas xhaketës. Kjo është diferenca jonë si opozitë me këtë mazhorancë.”
I pyetur nëse ndonjë nga deputetë e opozitës del në përgjimet e SKY ECC, Sula përgjigjet: “Nëse del në përgjime ndonjë deputet i opozitës, haram i qoftë! Haram buka e nënës dhe e babës. Këta që janë rrahur që të vegjël janë me sindroma dhe kur rriten kanë qejf të rrinë me të fortët”.


