26 persona të lënduar u paraqitën në Spitalin e Traumës, detajet për protestuesen e lënduar në kokë

26 persona, mes tyre efektivë policie, protestues dhe kalimtarë, janë trajtuar gjatë ditës së sotme në Spitalin Universitar të Traumës, pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës në kryeqytet.
Aktualisht nën kujdesin mjekësor janë dy efektivë policie, dy protestues dhe disa persona të tjerë që kanë mbërritur së fundmi në spital.
Efektivi me inicialet D.K. është shtruar në shërbimin e Neurokirurgjisë për monitorim të mëtejshëm dhe paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, Komandanti i forcave të rendit në policinë e Shkodrës Fasli Rama, i ardhur nga Shkodra, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një dëmtimi në kokë. Pritet një përditësim mbi gjendjen e tij shëndetësore pas ndërhyrjes.
Në kujdesin mjekësor vijojnë të jenë edhe dy protestues, të cilët paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore. Njëra prej tyre, një vajzë, ndodhet në observim dhe paraqitet në gjendje stabël. Kjo e fundit u dëmtua në kokë.
Ndërkohë, së fundmi kanë mbërritur në spital edhe tre kalimtarë, të cilët, sipas informacionit të bërë publik, janë jashtë rrezikut për jetën.
Sa i përket Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), aktualisht nuk raportohet asnjë person i lënduar.


