24-vjeçari vdiq pas sulmit nga tigri, skandal me të dhënat mjekësore të viktimës

Bota

24-vjeçari vdiq pas sulmit nga tigri, skandal me të dhënat

Një hetim ka nisur në Britaninë e Madhe pas dyshimeve se dy punonjës të Shërbimit të Ambulancës së Yorkshire kanë tentuar të aksesojnë pa arsye të ligjshme të dhënat mjekësore të Uilliam Chapman, 24-vjeçarit që u vra nga një tigër në Yorkshire Uildlife Park.

Në një deklaratë zyrtare, institucioni bëri të ditur se ka identifikuar dy raste të mundshme të aksesimit ose tentativës për të aksesuar informacionet që lidhen me ngjarjen dhe dosjen mjekësore të viktimës. Sipas autoriteteve, rastet u zbuluan përmes kontrolleve të brendshme dhe tani po hetohen për të përcaktuar rrethanat e plota.

Shërbimi i Ambulancës së Yorkshire theksoi se e merr shumë seriozisht mbrojtjen e të dhënave personale të pacientëve dhe konfirmoi se çështja i është raportuar edhe Zyrës së Komisionerit për Informacionin. Familja e 24-vjeçarit është informuar për dyshimet dhe do të mbahet në dijeni për ecurinë e hetimit.

tigri2.webp

Uilliam Chapman humbi jetën të shtunën, pasi kaloi dy barriera dhe hyri në ambientin e tigrave në parkun pranë Doncaster. Sipas dëshmive të paraqitura në Gjykatën e Mjekësisë Ligjore në Doncaster, ai vdiq nga dëmtime të shumta traumatike të shkaktuara gjatë sulmit. Pas ngjarjes, punonjësit e parkut neutralizuan kafshën, ndërsa ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje dhe konfirmuan vdekjen e tij.

Gjatë seancës, u bë e ditur se Chapman kishte një histori të problemeve të shëndetit mendor, ishte diagnostikuar me skizofreni dhe kishte përjetuar episode të mëparshme psikoze. Ai ishte nën kujdesin e shërbimeve të shëndetit mendor në Doncaster, por përshkruhej si person i pavarur, pa nevoja të veçanta për përkujdesje të përditshme.

Hetimi për të dhënat mjekësore synon të përcaktojë nëse punonjësit kanë shkelur rregullat e konfidencialitetit dhe nëse do të ketë masa ndaj tyre.

ME TE LEXUARAT