12 eurodeputetë i drejtohen Kaja Kallas për protestat në Shqipëri, kërkojnë hetim për veprimet e policisë

Protestat në Shqipëri dhe veprimet e policisë gjatë tubimeve kanë tërhequr vëmendjen e Parlamentit Europian. Dymbëdhjetë eurodeputetë i kanë dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, duke kërkuar sqarime mbi përdorimin e forcës nga policia dhe respektimin e të drejtave themelore.
Nisma është ndërmarrë nga Reinhold Lopatka, kreu i delegacionit austriak të Partisë Popullore Europiane (PPE), ndërsa mes firmëtarëve është edhe eurodeputeti Fredi Beleri. Pjesa më e madhe e 12 eurodeputetëve janë pjesë e grupimit të PPE-së dhe të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.
Në fokus të letrës janë raportimet për përdorim të pretenduar joproporcional të forcës nga efektivët gjatë protestave, përfshirë rastet e raportuara të plagosjes së protestuesve dhe gazetarëve nga plumbat e gomës. Eurodeputetët i referohen gjithashtu hetimit të Avokatit të Popullit mbi domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e forcës së përdorur.
Sipas firmëtarëve, deklarata e Komisionit Europian e 18 tetorit, e cila dënoi dhunën dhe bëri thirrje për proporcionalitet, nuk e trajtoi mjaftueshëm çështjen e llogaridhënies. Ata theksojnë se respektimi i të drejtave themelore dhe përgjegjësia për shkeljet e pretenduara duhet të jenë pjesë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Eurodeputetët kërkojnë të dinë se çfarë hapash do të ndërmarrë Kaja Kallas, përmes Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), për t’i adresuar këto shqetësime drejtpërdrejt me autoritetet shqiptare.
Një nga kërkesat kryesore është zhvillimi i hetimeve të pavarura, të paanshme dhe efektive për përdorimin e forcës nga policia, pengimin e gazetarëve dhe shkeljet e pretenduara të të drejtave të personave të ndaluar. Në letër kërkohet gjithashtu shqyrtimi i përgjegjësisë së drejtuesve të operacioneve policore, publikimi i rezultateve të hetimeve dhe marrja e masave gjyqësore ose disiplinore, kur kjo vlerësohet e nevojshme.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe personave të ndaluar, veçanërisht të miturve. Eurodeputetët kërkojnë garanci për respektimin e të drejtave të tyre sipas legjislacionit shqiptar dhe standardeve ndërkombëtare, si dhe bashkëpunim me Avokatin e Popullit dhe monitorim të pavarur.
Në përfundim, firmëtarët e lidhin çështjen me negociatat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke kërkuar që detyrimet në kuadër të Grupkapitullit 1, “Themeloret”, të ndiqen konkretisht, veçanërisht sa i përket llogaridhënies së policisë dhe respektimit të të drejtave themelore.
Ata kërkojnë gjithashtu përcaktimin e angazhimeve të matshme për adresimin e problematikave të evidentuara dhe parandalimin e shkeljeve të mëtejshme.


