Vuçiç drejt humbjes në zgjedhje/ 150 mijë njerëz në shesh për Listën e Studentëve në Serbi

Një “lumë” njerëzish në shesh në mbështetje të Listës së Studentëve në Serbi. 150 mijë mbështetës të kësaj force politike u mblodhën në Beograd në tubimin e fundit elektoral përpara zgjedhjeve parlamentare të së dielës, në atë që mund të jetë sfida më e madhe ndaj pushtetit të Aleksandar Vuçiçit në 12 vitet e fundit.
Sheshi “Slavija” u mbush me protestues që këndonin, brohorisnin dhe valëvitnin flamuj serbë në mbështetje të listës zgjedhore “Studentët fitojnë”.
Ilija Srdanoviç, nga Lista Studentore, tha: “Mandatet tona do të jenë në duart tuaja. Në duart e popullit. Me këtë, nuk ka dyshim për një gjë; më 25 tetor, Serbia po fiton. Sepse e dini pse… Sepse kush po fiton? Studentët fitojnë!”
Lëvizja studentore u shfaq pas shembjes së tendës së stacionit të trenit në Novi Sad në vitin 2024, ku humbën jetën 16 persona dhe që u pasua nga muaj protestash kundër qeverisë. Tashmë studentët garojnë me listën e tyre prej 250 kandidatësh, ku përfshihen pedagogë universitetesh, aktorë, fermerë dhe edhe një reper i njohur.
Sondazhi i vetëm i publikuar këtë muaj, nga New Serbian Political Thought më 20 tetor, e rendit listën e studentëve në avantazh të lehtë ndaj Partisë Progresive Serbe të Vuçiçit, përkatësisht 44.5 për qind të votave, kundrejt 42.7 për qind për SNS-në.
Megjithatë, parashikimet politike favorizojnë ende ish-presidentin dhe strukturën e tij politike. Zgjedhjet e së dielës pritet të jenë një test i rëndësishëm për forcën e lëvizjes studentore dhe për vazhdimësinë e dominimit politik të Vuçiçit në Serbi.

