U vra'në pas konfliktit me fqinjin, u jepet sot lamtumira e fundit vëllezërve Selam dhe Nazmi Islamaj

Familjarë, të afërm dhe miq do t’u japin sot lamtumirën e fundit Selam dhe Nazmi Islamajt, dy vëllezërit që humbën jetën një ditë më parë, pasi u qëlluan me armë zjarri nga fqinji i tyre, Ngushëllim Manzi.
Ngjarja e rëndë tronditi zonën, ndërsa pas të shtënave me armë zjarri, përveç dy viktimave, mbeti i plagosur edhe Shefqet Islamaj. Ky i fundit vijon të jetë i shtruar në spital, ku po merr kujdes intensiv për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Sipas informacioneve të raportuara, ai ende nuk e ka kaluar rrezikun për jetën.
Dy vëllezërit humbën jetën pas një konflikti që dyshohet se nisi për shkak të punimeve që po kryheshin për ndërtimin e një muri rrethues në pronën e familjes Islamaj. Sipas të dhënave paraprake, kalimi i mjeteve të betonit gjatë punimeve kishte shkaktuar pakënaqësi te fqinji, Ngushëllim Manzi, duke sjellë fillimisht debate mes palëve.
Përplasja verbale dyshohet se u përshkallëzua më pas në një konflikt më të ashpër, ku u përfshinë edhe familjarë të të dyja palëve. Situata përfundoi tragjikisht, me përdorimin e armës së zjarrit dhe vrasjen e dy vëllezërve, ndërsa një tjetër person mbeti i plagosur rëndë.
Në dëshminë e dhënë pas ngjarjes, Ngushëllim Manzi ka pretenduar se ka marrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar pasi Shefqet Islamaj kishte shtyrë prindërit e tij. Ky është versioni i paraqitur prej tij, ndërsa rrethanat e plota dhe motivet që çuan në ngjarjen e rëndë po hetohen nga autoritetet përkatëse.
Ndërkohë, edhe gjatë ditës së sotme, efektivë të Komisariatit të Policisë nr. 5 vijojnë të jenë të pranishëm në zonën ku ndodhi krimi, me qëllim parandalimin e tensioneve apo përplasjeve të mundshme mes familjeve.
Prania e shtuar e policisë lidhet edhe me faktin se banesat e familjes së viktimave dhe të autorit të dyshuar ndodhen pranë njëra-tjetrës. Autoritetet po mbajnë situatën nën kontroll, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e konfliktit që përfundoi me humbjen e jetës së dy vëllezërve dhe plagosjen e një personi tjetër.


