Cmime 10 mijë euro metri katror në qendër të Tiranës? Shoqata e real-estate: Jo reale, po testojnë tregun

Trending

Cmime 10 mijë euro metri katror në qendër të Tiranës?

Rritja e vrullshme e çmimeve në tregun e pasurive të patundshme, e nxitur më së shumti edhe nga rritja e sektorit të turizmit, ka sjellë disa shifra befasuese në treg.

Agjentët thonë se ka çmime që dalin në treg kryesisht rreth zonës më elitare të kryeqytetit që variojnë nga 7 deri në 10 mijë euro metri katrorë. Por sa realiste janë këto shifra?

“Ne shohim se po zbatohen disa projekte elitare në zonën kryesore pranë qendrës së Tiranës.

Në lancimin e këtyre projekteve shohim që çmimet me të cilat hidhen në treg disa prona arrijnë deri në shifra të tilla siç janë dhe 8 apo 10 mijë euro. Ne jemi të bindur se shifra të tilla nuk janë realiste.

Agjentët i nxjerrin këto shifra më shumë për të testuar tregun. Ato korrigjohen me kohën”, tha Reinaldo Pipiria, drejtor i shoqatës “NAREA”.

Por kush janë shifrat maksimale në treg sipas shoqatës së agjentëve imobiliarë?

“Ne kemi parë që çdo pronë me çmim 4-5 mijë euro për metër katrorë  kërkon shumë energji për tu shitur. Po flasim për prona rezidenciale në kryeqytet.

Ndërsa bregdeti çmimi për metër katror varion nga 3500-6500 euro për metër katrorë. Këto shifra i referohen projekteve elitare në turizëm”, tha Pipiria në Vizion Plus. 

Në vitin 2024, numri i kontratave të shit-blerjes të regjistruar në kadastër arriti në rreth 32 mijë, në rënie me vitet e mëparshme, për shkak të bllokimit të fushatës së rivlerësimit.

Por ky nuk është numri real i shitjes së pronave, pasi shumë të tjera shiten me kontratë porosie që nuk reflektohen menjëherë në kadastër./vizionplus

ME TE LEXUARAT