Tregu i makinave të përdorura në alarm, nga viti 2028 ndalohet rreptësisht kategoria e këtyre automjeteve

Aktualitet

Tregu i makinave të përdorura në alarm, nga viti 2028 ndalohet
Tregu i importit të makinave të përdorura në Shqipëri pritet të pësojë një goditje të fortë dhe një riorganizim radikal brenda dy viteve të ardhshme.

Qeveria ka hedhur për konsultim një projevendim, i cili nga 1 janari 2028 ndalon rreptësisht hedhjen për herë të parë në tregun shqiptar të automjeteve dhe pjesëve të këmbimit që përmbajnë plumb, merkur, kadmium apo krom gjashtëvalent.

Masa, e cili është detyrim nga proçesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, nuk prek makinat që qarkullojnë aktualisht brenda vendit, por vendos një filtër të rreptë për çdo mjet të përdorur që do të tentohet të importohet pas këtij afati.

Sa është impakti real në tregun e importeve?
Ndonëse ligji nuk bllokon mjetet ekzistuese, impakti i tij në tregun e makinave të përdorura (që ushqen pjesën dërrmuese të flotës në Shqipëri) është mjaft i lartë:

• Bllokohet importi i makinave të vjetra (mbi 10-20 vjeçare): Shqipëria është një treg ku rreth 91% e makinave të regjistruara janë mbi 10 vjet të vjetra dhe 45.4% janë mbi 20 vjet të vjetra. Këto mjete të vitprodhimeve të mëhershme kanë në përbërjen e tyre aliazhe metalike, saldime dhe pjesë elektronike me përmbajtje plumbi. Ndalimi i vitit 2028 do të thotë se asnjë makinë e kësaj teknologjie të vjetër nuk do të mund të importohet më e përdorur nga jashtë.

• Shtrenjtim i pjesëve të këmbimit që importohen: Pas datës 1 janar 2028, importuesit profesionalë ndalohen të fusin në Shqipëri pjesë të reja apo të përdorura këmbimi që kanë përmbajtje plumbi (përveç disa rasteve specifike të lejuara si pjesë këmbimi për mjetet e shitura para kësaj date). Kalimi drejt materialeve alternative ekologjike pritet të rrisë kostot e importit të pjesëve.

• Presion për rinovimin e flotës aktuale: Duke bllokuar hyrjen e mjeteve të vjetra me plumb nga importi, qeveria synon që flota aktuale prej mbi 1 milion mjetesh (ku makinat elektrike zënë vetëm 1.3% dhe ato hibride 1.2%) të zëvendësohet gradualisht vetëm me mjete të reja dhe ekologjike.

Tregu i makinave të përdorura në alarm, nga viti 2028 ndalohet

Dorëzimi i mjeteve jashtë përdorimit bëhet falas
Dorëzimi i automjeteve të vjetra apo të dala jashtë përdorimit do të bëhet plotësisht falas nga qytetarët pranë pikave të autorizuara të grumbullimit, edhe nëse ato nuk kanë më asnjë vlerë tregu.

Sipas projektvendimit, të gjitha kostot e trajtimit do të përballohen nga prodhuesit dhe importuesit profesionalë operative. Ky ndryshim shfuqizon vendimin e vjetër të vitit 2012 për të përafruar standardet shqiptare me direktivat e Bashkimit Evropian.

Në momentin e dorëzimit të makinës, operatori i autorizuar ka detyrimin t'i lëshojë qytetarit një "Certifikatë Shkatërrimi" me një kod serial unik të gjeneruar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Ndryshimi i madh administrativ qëndron tek bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).

Asnjë automjet nuk do të mund të çregjistrohet më nga regjistri kombëtar për shkak të daljes jashtë përdorimit pa u paraqitur kjo certifikatë mjedisore. Kjo masë synon të bllokojë përgjithmonë braktisjen e mjeteve në rrugë apo shitjen e tyre informale për pjesë këmbimi.

Ultimatumi 18 Muaj për "Varrezat e Makinave"
Bizneset ekzistuese që operojnë në fushën e skrapit dhe çmontimit përballen me një sfidë të madhe. Ligji i ri u lë atyre vetëm 18 muaj kohë për të përshtatur të gjithë aktivitetin e tyre me kërkesat minimale teknike.

Pikat e trajtimit duhet të investojnë për të kthyer parcelat e tyre në platforme betoni plotësisht të papërshkueshme nga lëngjet. Ato duhet të pajisen me sisteme për grumbullimin e derdhjeve operative, dekantues dhe impiante për pastrimin e ujërave të shiut.

Gjithashtu, vendoset detyrimi që brenda 10 ditëve nga marrja e mjetit të kryhet dekontaminimi: heqja e baterive, airbag-ëve dhe zbrazja e plotë e të gjitha lëngjeve të rrezikshme (karburanti, vajrat dhe antifrizi) për t'u depozituar në depozita të veçanta izoluese.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion