Trazirat në Francë tronditin tregjet evropiane, bursat nisin javën në rënie

Bota

Trazirat në Francë tronditin tregjet evropiane, bursat nisin

Tregjet evropiane të aksioneve e nisën javën në rënie, mes shqetësimeve të investitorëve për pasojat e protestave të dhunshme që tronditën Francën gjatë fundjavës. Paqëndrueshmëria politike dhe sociale në ekonominë e dytë më të madhe të Eurozonës po shton pasigurinë për perspektivën e rritjes ekonomike.

Bursa e Parisit regjistroi humbjet më të mëdha ndër tregjet kryesore evropiane. Indeksi CAC 40 ra me 1.18%, duke zbritur në 7,862.81 pikë, ndërsa investitorët vlerësuan ndikimin e trazirave, të shoqëruara me arrestime, dëmtime të pronave dhe plaçkitje dyqanesh.

 Rënia u përhap edhe në bursat e tjera të kontinentit. Indeksi pan-evropian Stoxx 600 humbi 0.57%, duke zbritur në 641.05 pikë, pas rritjes me më shumë se 2% gjatë javës së kaluar.

Rënie në bursat kryesore evropiane

Tregjet kryesore të Evropës e nisën javën me humbje, ndërsa rëniet më të ndjeshme u regjistruan në Francë, Itali dhe Spanjë.Indeksi gjerman DAX ra me 0.69%, në 25,444.76 pikë, ndërsa FTSE 100 në Londër humbi 0.54%, duke zbritur në 10,823.30 pikë. Në Milano, indeksi FTSE MIB u ul me 1.01%, në 49,355.71 pikë, ndërsa IBEX 35 në Madrid ra me 1.19%, në 19,096.90 pikë.

Presioni më i madh u vu re në sektorin bankar. Indeksi përkatës evropian shënoi një rënie prej 1.4%, pasi shtimi i pasigurisë nxiti kujdesin e investitorëve ndaj aksioneve financiare. Zhvillimet në Francë po ndiqen nga afër nga tregjet, ndërsa investitorët vlerësojnë se sa mund të ndikojnë tensionet politike dhe sociale në besimin e bizneseve dhe në ecurinë ekonomike të vendit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion