Trafik armësh nga Kosova në Shqipëri/ SPAK konfirmon hetimin: Nuk mund të zbulojmë sekretin hetimor

SPAK ka në hetim një çështje për trafik armësh nga Kosova drejt Shqipërisë. Kjo rezulton nga të dhënat e publikuara në Regjistrin e Kërkesave dhe Përgjigjeve të SPAK për muajin shtator 2026. Ekzistenca e hetimit konfirmohet nga vetë Prokuroria e Posaçme në përgjigje të një kërkese për informacion të dërguar nga një media në Kosovë.
“Prokuroria e Posaçme ka në hetim një çështje që lidhet me trafik armësh të ardhura nga Kosova”, thuhet në përgjigjen e SPAK të datës 17 shtator 2026.
Prokuroria e Posaçme nuk jep të dhëna të tjera për hetimin, personat që mund të jenë të përfshirë apo mënyrën se si armët dyshohet se kanë kaluar nga Kosova në Shqipëri, duke iu referuar sekretit hetimor.
Media nga Kosova i kishte drejtuar SPAK më 1 shtator 15 pyetje për trafikimin e armëve mes dy vendeve. Pyetjet lidheshin me numrin e rasteve të hetuara, personat e përfshirë dhe nëse mes tyre kishte shtetas kosovarë, si dhe me origjinën dhe gjurmimin e armëve të sekuestruara në Shqipëri.
SPAK është pyetur gjithashtu nëse hetimet kanë identifikuar armë të vjedhura apo të humbura në Kosovë dhe të trafikuara më pas në Shqipëri, apo raste kur armë të blera ligjërisht në Kosovë kanë përfunduar në tregun e paligjshëm shqiptar.
Një tjetër pjesë e pyetjeve lidhej me ekzistencën e mundshme të grupeve kriminale që veprojnë në të dyja anët e kufirit dhe nëse trafiku i armëve mund të ketë lidhje me veprimtari të tjera kriminale, përfshirë trafikun e narkotikëve dhe pastrimin e parave.
Media kërkoi informacion edhe për bashkëpunimin e SPAK me autoritetet e Kosovës për gjurmimin e armëve dhe verifikimin e numrave serialë, pronësisë apo rasteve të raportuara si vjedhje. Në pyetje përfshiheshin edhe raste konkrete të goditjes së trafikut të armëve në kufirin mes dy vendeve.
Por SPAK ka konfirmuar vetëm se një çështje për trafik armësh të ardhura nga Kosova është aktualisht nën hetim, pa bërë publike të dhëna të tjera.
“Bazuar në nenet 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, veprimet hetimore që kryhen në fazën e hetimit paraprak përbëjnë sekret hetimor. Duke iu referuar këtyre neneve, nuk mund të bëjmë me dije veprimet hetimore apo rezultatet e tyre”, sqaron Prokuroria e Posaçme.


