Tensionet në protestën e kryeqytetit, Vihen në pranga 11 persona, procedohen 7 të tjerë

Policia e Tiranës ka arrestuar 11 persona, mes tyre dy të mitur, dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 7 shtetas, në vijim të veprimeve hetimore për kundërligjshmëritë e konstatuara gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë.
Sipas njoftimit të Policisë, në pranga kanë rënë 9 shtetas të rritur dhe dy të mitur, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rasteve të evidentuara gjatë tubimit.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 kanë identifikuar dhe ndaluar një 33-vjeçar, E. K., i dyshuar për dëmtimin me sende të forta të ambienteve të komisariatit gjatë protestës së zhvilluar tri ditë më parë.
Sipas Policisë, gjatë asaj proteste, godina e Komisariatit Nr. 3 dhe punonjësit e policisë u sulmuan me lëndë piroteknike, gurë dhe bomba molotov. Si pasojë, u shkaktua zjarr dhe u dëmtua godina, ndërsa 10 punonjës policie mbetën të dëmtuar.
Materialet procedurale për të gjitha rastet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Veprat penale për të cilat po kryhen hetimet përfshijnë shkatërrimin e pronës, shkatërrimin e pronës me zjarr, goditjen e punonjësve për shkak të detyrës, kundërshtimin e policisë, pjesëmarrjen në grumbullime të paligjshme dhe vepra të tjera të parashikuara nga legjislacioni penal.


