Tensione dhe dëme te Ministria e Infrastrukturës, të rinjtë dhe studentët “pushtojnë” rrugët e Tiranës

Protestuesit janë ndalur te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke thyer xhamat e godinës, ndërsa situata në kryeqytet vijon të jetë e tensionuar.
Protesta është shoqëruar me bojkot të mësimit në disa shkolla të mesme dhe universitete të Tiranës.
Studentët e gjimnazistët kanë lënë auditorët dhe klasat për t’iu bashkuar tubimit, ndërsa marshimi vijon në disa zona të kryeqytetit.
Me heret reagoi edhe Kryeministri Edi Rama, përmes një video-mesazhi nga godina e dëmtuar e Kolegjit të Europës në Tiranë.
Rama i ka cilësuar dëmet si vepër të opozitës dhe jo të studentëve, duke theksuar se me këta të fundit qeveria është e gatshme të dialogojë dhe të gjejë zgjidhje.
Kreu i qeverisë akuzoi opozitën se, sipas tij, po përpiqet ta pengojë Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian, përmes dhunës dhe shkatërrimit. Rama tha se këto janë orë të vështira, ndërsa vuri në dukje se kushdo që ka dorë në këtë katrahurë do ta paguajë
"Kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe s’mund të jenë duart e studentëve. Studentët janë e ardhmja dhe ata që shohin larg. Studentët janë të mirëpritur dhe me ta ne jemi gjithnjë gati të ulemi të flasim, të diskutojmë dhe të jepen zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje. Këto janë duart që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë, sa herë që Shqipëria përpiqet të shkojë lart.
Këto janë duart e një opozite e cila me maska të verbërish përpara, me zjarr dhe me hekur, kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku Shqipëria nuk të rikthehet më. Kërkojnë ta rikthejnë Shqipërinë në humnerën nga ku ne të gjithë së bashku e nxorëm, dhe po e ngjisim drejt majës historike, drejt ëndrrës së të gjithë shqiptarëve në breza, BE.
Qëlloi që kjo zyrë e Kolegjit të Europës, shkollës së gjeneratës së re të europianëve, të jetë sot simboli i gjithckaje që Tirana dhe Shqipëria panë, dhe po shohin në këto orë të vështira.
Por janë orë që do t’i kalojmë së bashku sepse Shqipëria do të vazhdojë të ngjitet, në rrugën e saj për Eurpën dhe kurrë më s’do bjerë në ato duar që e kanë kapur për fyti opozitën, por kurrë s’mund ta kapin për fyti Shqipërinë. Kush mendon që ligji është larg gabon. Gjithkush që ka dorë në këtë katrahurë do të paguajë, sepse Shqipëria s’do kthehet më kurrë pas”.


