Nga stigma drejt fuqizimit: One Albania mbështet talentin e brezit të ri të vajzave në teknologji

Ndonëse teknologjia nuk njeh gjini, një përqindje e madhe e vajzave priren të besojnë se Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) nuk është një fushë në të cilën ato mund të ndërtojnë karrierë. Duke sfiduar këto mendime kufizuese, si dhe për të promovuar modele të suksesshme vajzash dhe grash në fushën e shkencës dhe teknologjisë, One Albania mbështeti edicionin e pestë të Akademisë së Vajzave Shqiptare në TIK, organizuar nga Albanian Skills. Akademia bëri bashkë mbi 100 vajza të moshës 14-19 vjeç nga i gjithë vendi, të cilat u trajnuan në aftësitë digjitale dhe inovacion.
Energjia dhe frymëzimi i të rejave shoqëroi në çdo hap seancat e hapura dhe aktivitetet interaktive me ekspertë të fushës. Për të pestin vit radhazi, Akademia shërbeu si një mundësi për promovimin e arsimit profesional si dhe për të inkurajuar vajzat, që të zgjedhin një karrierë në TIK.
Edicioni i vitit 2025 i Akademisë u përmbyll me një ceremoni për ndarjen e çmimeve pranë One Connect Hub, hapësira më e re e krijuar nga One Albania për inovacion dhe bashkëpunim digjital. Duke vlerësuar performancën e shkëlqyer përgjatë konkursit tre presëmarrëse u vlerësuan me tabletë dhe ora smart. Po ashtu, çdo pjesëmarrëse u pajis me një certifikatë që njeh angazhimin dhe pjesëmarrjen e tyre gjatë gjithë programit.
Pavarësisht se Shqipëria renditet e katërta në Evropë për përqindjen e studenteve në STEM, rruga për gratë në TIK mbetet e shtruar me stigma kulturore dhe pabarazi ekonomike. Në këtë kontekst, mbështetja e Akademisë së Vajzave Shqiptare në TIK nga One Albania është kthyer në një mision, me synim rritjen e vetëdijes për mundësitë e vajzave në sektorin e TIK-ut.
"One Albania i kushton shumë rëndësi investimit në mbështetjen e brezave të ardhshëm.” - shprehet Jonilda Filipi, drejtoreshë e Çështjeve të Koorporatës, në One Albania. "Përmes përkrahjes së iniciativave si Akademia e Vajzave Shqiptare në TIK ne synojmë të sfidojmë stereotipet, të kapërcejmë hendekun gjinor në TIK dhe të hapim dyert për vajzat që guxojnë të ëndërrojnë dhe të angazhohen për të ndërtuar të ardhmen digjitale të vendit”.
Lideri i telekomunikacionit One Albania prej vitesh është një katalizator i zhvillimit të aftësive digjitale të të rinjve dhe mbështet përfshirjen e sa më shumë vajzave në teknologji, duke çmuar kontributin e tyre të madh në shkencë dhe teknologji.