Bashkëthemeluesi i Apple-it mbështet lëvizjen për të drejtën e riparimit

Steve Wozniak, bashkëthemeluesi i kompanisë teknologjike Apple, ka shprehur një miratim të pasionuar të lëvizjes për të drejtën e riparimit, pavarësisht nga kundërshtimi i kompanisë.
Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se lëvizja kërkon që ligjet të miratohen për t’u garantuar përdoruesve akses në informacion dhe pjesë për të riparuar pajisjet e tyre.
“Ne nuk do të kishim një Apple sikur të mos isha rritur në një botë shumë të hapur teknologjike”, është shprehur Wozniak, bashkëthemeluesi i kompanisë në vitet ’70 së bashku me Steve Jobs.
“Është koha të njohim të drejtën për të riparuar më plotësisht”, ka vazhduar ai.
‘Jashtëzakonisht e rrezikshme’
Rregullat ekzistuese të së drejtës për riparim në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përkatësisht të kufizuara në pajisje dhe automjete.
Dhe avokatët janë të mendimit se Apple-i është një nga kundërshtarët më të ashpër për zgjerimin e legjislacionit për të mbuluar elektronikën e konsumit.
BBC tregon se kompania lejon riparime vetëm nga teknikët e vet të autorizuar dhe zakonisht nuk siguron pjesë këmbimi ose informacione për riparime.
Gjithashtu thuhet se ka angazhuar lobistë për të bindur ligjvënësit që riparimi i pajisjeve mund të jetë jashtëzakonisht i rrezikshëm.
Por Wozniak, mendon se “kompanitë pengojnë të drejtën për të riparuar sepse u jep kompanive fuqi, kontroll, mbi gjithçka”.
“Është koha të fillojmë të bëjmë gjërat e duhura”, ka thënë bashkëthemeluesi i Apple-it.
Wozniak i ka bërë komentet e tij në një përgjigje të pasionuar nëntë minutëshe e gjysmë ndaj një kërkese që i erdhi nga Louis Rossmann në Cameo, një faqe që lejon njerëzit e zakonshëm të paguajnë të famshëm për një mesazh të shkurtër.
“Kur nisa Apple-in, unë kurrë nuk mund të përballoja një makinë shkrimi që merr sinjale nga telefoni për hyrje ose dalje…kushtonin sa dy makina”, ka thënë ai.
BBC shkruan se ai e dinte se si funksiononin televizorët dhe kishte qasje në skema kështu që ai ndërtoi zgjidhjen e tij për ta kthyer televizorin e tij në një monitor kompjuteri të hershëm për Apple I.
“Unë nuk kisha për të përballuar diçka që nuk mund ta përballoja kurrë. Nuk isha i kufizuar nga asgjë që më ndalonte të ndërtoja atë kompjuter dhe t’i tregoja botës se e ardhmja e kompjuterëve personalë do të jetë një tastierë dhe një televizor”, ka treguar Wozniak.
Ai ka folur edhe për “motivimin dhe gëzimin” e të rinjve që mësuan të zhvillojnë pajisje “për t’i provuar vetvetes se kanë një aftësi të vogël të veçantë në botë”, duke shtuar se ishte “shumë motivuese për mendjet krijuese”.