Katar 2022/ “Synojmë vendin e dytë”, Cikalleshi ndez ekipin në ndeshjen e parë: Të japim gjithçka

Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Sokol Cikalleshi ka dhënë një mesazh shumë të fortë ditën e sotme në prag të nisjes së ndeshjeve kualifikuese për Botërorin Katar 2022.
Cikalleshi thtoë se të kapësh një nga dy vendet e para është shumë e vështirë, por ata do ta provojnë në maksimum që ta bëjnë këtë gjë dhe në këtë mënyrë të kualifikohen për në Katar 2022.
Ndeshjen e parë Shqipëria e ka me Andorrën këtë të enjte në orën 20:45, ndërsa më pas do të luajë me Anglinë të dielën kundër në Air Albania në orën 18:00.

“Objektivi ynë i radhës, është si në aspektin personal dhe për ekipin, që ta nisim me këmbën e parë. Objektivi është të marrim një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë. Është një ndeshje që duhet të vlerësohet shumë. Është një ekip më i dobët se ne, por nga historia, kemi pasur shumë situata që kemi pasur vështirësi.
Jemi të fokusuar për të marrë fitoren. Objektivi? Ne do të synojmë maksimumin, por duke parë Anglinë, ajo që na mbetet ne është që të shfaqim gjithçka në fushë. Nëse kualiteti i Anglisë vendos ndeshjen, ne na mbetet vetëm të provojmë, por duke vënë shpirtin në garë, mund të arrijmë diçka pozitive. Ekipi është shumë mirë. Lojtarët janë duke luajtur me ekipet e tjera, është një kampionat, shumë i ngjeshur, por nuk e ndjejmë veten të lodhur.
Andorra? Nëse e nënvlerësojmë, atëherë do të ishte një gabim i madh. Nuk do futemi në fushë për të shënuar Cikalleshi, por të fitojmë ndeshjen. Jemi përballë një sfide, që duhet të jemi të gatshëm për ta përballuar.
Çdo hap përpara, që mund të arrijmë, duhet përgëzuar. Ne do të provojmë gjithçka për 2 vendet e para, por edhe po të lëmë pas Hungarinë do jetë gjithashtu një hap i rëndësishëm. Ajo që unë dua, është se pavarësisht kundërshtarit, të shfaqim të gjitha cilësitë. Nëse e bëjmë këtë, në çdo pozicion të jemi, të jemi të qetë se kemi dhënë maksimumin. Nëse do kishim fituar në Turqi, mund të ndryshonte fati për kualifikim në Europian. Në fund të edicionit të kemi dhënë gjithçka,” tha Cikalleshi.
Kombëtarja e Shqipërisë është grumbulluar në Barcelonë për ndeshjen hapëse të kualifikueseve të Botërorit Katar 2022. Ndeshjen e parë kuqezinjtë do e luajnë në transfertë përballë Andorrës të enjten ora 20:45. Në Grupin I, Shqipëria do të përballet me Poloninë, Anglinë por edhe Hungarinë që vitet e fundit ka njohur rritje.