Federico Marchetti rrëfen betejën me depresionin: Në Cagliari pësova mobing, nuk arrija as të hidhesha

Ish-portieri i njohur italian, Federico Marchetti, ka rrëfyer publikisht periudhat më të vështira të jetës dhe karrierës së tij, duke folur për përballjen me depresionin, presionin psikologjik në futboll dhe përvojat që ai i cilëson si mobing të maskuar në disa klube.
Marchetti ka treguar se depresioni e kishte çuar në një gjendje të rëndë psikologjike, deri në pikën që nuk arrinte dot as të hidhej për të pritur topin gjatë ndeshjeve. Ai thekson se besimi ka qenë një faktor vendimtar për ta ndihmuar të përballojë momentet më kritike, duke përmendur edhe një aksident të rëndë që pësoi në moshën 20-vjeçare.
Gjatë periudhës te Cagliari, pas pjesëmarrjes në Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut, ku luajti dy ndeshje me Italinë, Marchetti thotë se u përball me presion dhe izolim nga klubi. Sipas tij, gjithçka nisi pasi u përfol se dëshironte të luante në Champions League. Presidenti i atëhershëm, Massimo Cellino, refuzoi çdo ofertë transferimi, përfshirë ato nga Roma dhe Milani, duke e futur portierin në një konflikt të gjatë dhe të lodhshëm psikologjik.
Marchetti rrëfen se klubi e maskoi gjendjen e tij depresive si një dëmtim fizik, duke e lënë jashtë fushës dhe pa mbështetje, në një moment kur kishte më shumë nevojë për ndihmë. Ai nënvizon se depresioni është një sëmundje serioze dhe nuk duhet trajtuar si dobësi.
Pas një viti pa luajtur, ai u transferua te Lazio, ku përjetoi një nga momentet më të bukura të karrierës, fitimin e Kupës së Italisë në vitin 2013, pas finales ndaj Romës, një sukses që e quan “magjik”. Megjithatë, edhe te Lazio, pas disa sezoneve pozitive, ai humbi vendin në formacion dhe u la jashtë skuadrës.
Marchetti shpjegon se ambienti në Romë është shumë i vështirë për lojtarët, pasi edhe një gabim i vetëm mund të shoqërohet me kritika të ashpra dhe thashetheme për jetën personale, të cilat ai i mohon.
Përvoja e fundit te Genoa, ku u transferua në vitin 2018, u shoqërua gjithashtu me zhgënjim. Marchetti e ka cilësuar ish-trajnerin Alexander Blessin si trajnerin më të keq që ka pasur, duke e akuzuar për trajtim poshtërues dhe fyerje të vazhdueshme ndaj lojtarëve, veçanërisht atyre italianë. Ai përmend edhe raste të tjera, ku lojtarë si Riccardo Calafiori dhe Goran Pandev u larguan për shkak të këtij trajtimi.


