SPAK i komunikon akuzën Igli Tares, dyshohet se regjistroi në emër të tij vilën e Belinda Ballukut

Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar ish-futbollistit të kombëtares shqiptare të futbollit, Igli Tare, akuzat që rëndojnë mbi të, në kuadër të dosjes hetimore ndaj Belinda Ballukut. Tare është marrë i pandehur nga SPAK, nën akuzën e pastrimit të parave, pasi dyshohet se ka regjistruar një vilë në pronësi të deputetes Balluku, në emrin e tij.
Vila, me një sipërfaqe trualli prej 478 metrash katrorë që ndodhet në Palasë, është sekuestruar nga SPAK. Sipas Prokurorisë së Posaçme, vila dyshohet se është përfituar në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Alko Impex General Construction”, e cila u shpall fituese, së bashku me një kompani tjetër, në tenderin prej afro 30 milionë eurosh (me TVSH) për lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Më herët, SPAK kishte sekuestruar një tjetër vilë në bregdetin e jugut, në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi, gjithashtu të regjistruar në emër të Igli Tares. Prokuroria e Posaçme dyshon se Balluku e ka përfituar këtë pronë si ryshfet në këmbim të favorizimit të kompanisë së ndërtimit “Eurocol” në dy tenderë për rikonstruksionin e godinës së Albcontrolit, me vlerë mbi 1 milion euro, në kohën kur ajo drejtonte institucionin.
Kujtojmë se ditën e djeshme, ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku u thirr nga SPAK dhe iu komunikuan pesë akuzat që rëndojnë mbi të.
Konkretisht: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal; “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal; “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal; “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal; “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme)./


