Zbuloni moshën kur jeta bëhet më e palumtur! Pse gjenerata ‘Millennials’ po përjetojnë periudhën më të vështirë

Soft

Zbuloni moshën kur jeta bëhet më e palumtur! Pse gjenerata

Detyrimet familjare dhe ekonomike, energjia më e ulët, simptomat e menopauzës, rrudhat e para dhe thinjat. Për shumë gra, pas moshës 40-vjeçare shtohen sfidat e jetës së përditshme.

Edhe kur këto vështirësi lidhen kryesisht me pritshmëritë shoqërore dhe nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën tonë, ato mund të ndikojnë në ekuilibrin psikologjik.

Sipas studimeve të fundit, pikërisht rreth kësaj moshe njerëzit mund të përjetojnë periudhën më të palumtur të jetës.

Sipas një artikulli të publikuar në “The Guardian”, me autore gazetaren dhe shkrimtaren Sophie Brickman, studimet tregojnë se 47.2 vjeç është mesatarisht, mosha në të cilën niveli i lumturisë arrin pikën më të ulët.

Gjenerata Millennials

Sipas Brickman, Millennials (njerëzit e lindur afërsisht nga viti 1981 deri në 1996)  më të mëdhenj në moshë, që aktualisht janë rreth 35 deri në 44 vjeç, po përballen me vështirësi të veçanta.

Një prej faktorëve kryesorë është mungesa e kohës së lirë. Sipas statistikave amerikane të cituara në artikull, koha që kjo gjeneratë i kushton hobeve dhe interesave personale ka rënë në nivele historikisht të ulëta.

“Ne punojmë dhe kujdesemi për fëmijët e vegjël gjithnjë e më shumë”, shkruan Brickman, e cila është nënë e tre fëmijëve. Ajo thekson se edhe koha e kaluar për “kujdesin ndaj vetes” shpesh përfshin thjesht gjumin.

Autorja pranon se nuk ka nevojë për sondazhe për të kuptuar se koha e saj e lirë po bëhet gjithnjë e më e pakët.

Edhe fakti që disa studime tregojnë se lumturia rritet pas moshës 50-vjeçare nuk është shumë ngushëllues. “A duhet të pres deri në 55 vjeç që të kem kohë të çlodhem dhe të mendoj?”, pyet ajo.

“Kurba U” e lumturisë

Ekonomistja dhe eksperte e mirëqenies Carol Graham thotë se Millennials janë goditur nga disa kriza të njëpasnjëshme.

Kriza ekonomike, rritja e fëmijëve të vegjël gjatë pandemisë së COVID-19 dhe vështirësi të tjera të akumuluara gjatë një ose dy dekadave kanë ndikuar ndjeshëm në këtë brez.

Graham, së bashku me ekonomistin Danny Blanchfloëer, mbështet teorinë e njohur si “kurba U” e lumturisë. Sipas kësaj teorie, kënaqësia me jetën bie rreth moshës 40-vjeçare dhe nis të rritet sërish pas të 50-ave.

Kjo teori, sipas studiuesve, është konfirmuar në më shumë se 420 studime dhe nuk lidhet vetëm me njerëzit, por është vërejtur edhe te primatët e tjerë.

Vështirësitë mund të na bëjnë më të fortë

Pavarësisht vështirësive, Graham beson se gjeneratat e ardhshme mund ta kenë më të lehtë.

Ajo përmend si shembull fenomenin e “Dorëheqjes së Madhe”, kur një numër i madh punonjësish, veçanërisht të rinj, vendosën të largohen nga modelet e ngurta të punës për të kërkuar një jetë më fleksibël dhe për të ndjekur synimet e tyre personale.

Megjithatë, një zgjedhje e tillë është më e lehtë për ata që kanë një “rrjet sigurie”, për shembull mbështetje financiare nga familja.

Për Millennials që po kalojnë aktualisht periudhën më të vështirë, Graham ka një mesazh optimist: përvoja e një periudhe të vështirë mund të na bëjë më të fortë në planin afatgjatë.

Nëse arrijmë ta kapërcejmë këtë fazë, thotë ajo, mund të dalim prej saj më të qëndrueshëm dhe më rezistentë ndaj vështirësive të ardhshme

ME TE LEXUARAT