Zbulohet varri monumental në Parkun e Amantias
Gërmimet në hyrje të Parkut Arkeologjik të Amantias nga një ekip arkeologësh dhe restauratorësh, zbuluan një varr monumental. Ai mendohet të jetë përdorur për varrime në shekullin e parë dhe të dytë, ndërkohë ka nisur puna për ndërhyrje restauruese.
Një varr monumental, u zbulua në hyrje të territorit të Parkut Arkeologjik të Amantias, buzë të rrugës që lidh fshatrat Ploçë dhe Amonicë në Bashkinë Selenicë.
Varri u zbulua gjatë gërmimeve të një ekipi arkeologësh dhe restauratorësh të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, dhe nga rezultatet paraprake mendohet sa ai është përdorur për varrime nga shekulli i I deri në shek. II të erës sonë.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Brenda hapësirës së varrit monumental me blloqe guri, është ndërtuar një varr me muraturë tulle. Ajo që bie në sy është suvatimi i hapësirës së brendshme të dhomës së varrimit.
Objektet e zbuluara janë kryesisht enë qeramike të fragmentuara, pak enë të plota, enë qelqi të fragmentuara, si dhe objekte metalike, ku një pjesë e madhe përbëhet nga gozhdë.
Ekzistenca e këtij varri, është pretenduar edhe gjatë gërmimeve arkeologjike të të realizuara në vitin 2020, kur u zbulua varri i parë monumental në atë territor.
Për shkak të nevojës, me vendim të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, në monument u bënë ndërhyrje restauruese, hapje të plotë e sipërfaqes për të mundësuar drenazhimin e ujërave që po e dëmtonin, si dhe studimin dhe dokumentimin e tij. Krahas këtyre masave paraprake të konservimit, po hartohet edhe një projekt restaurimi dhe muzealizimi për monumentin./report