Të metat e të poseduarit “famë” që kur vjen në jetë

Imagjinoni të dilni direkt nga barku i nënës dhe të bëheni i famshëm akoma pa shqiptuar fjalët e para e pa mësuar shkronjat?
Ky është fati që kanë plot foshnje të porsalindura e fëmijë të ndryshëm, prindërit e të cilëve gëzojnë reputacion publik.
Por, dallimi është mes asaj se disa prindër me famë preferojnë që fëmijët e tyre t’i mbajnë larg syrit të kamerave, ndërsa ka edhe nga ata që për qëllime të ndryshme i “shpërblejnë” të vegjlit e tyre me popullaritet.
Një dukuri e tillë zhvillim ka gjetur edhe në trojet shqipfolëse, ndërsa arsyet vijojnë të jenë të shumta dhe efektet anësore negative edhe më të shumta.
Pos, dëshirës që fëmija të ketë vëmendje të madhe nga publiku, vend zënë edhe të ardhurat ekonomike që sjellin pasi llogaritë e rrjeteve sociale të verifikohen nga grupet përkatëse menaxhuese.
Mes tjerash, një postim vlerësohet edhe në bazë të “pëlqimeve” që merr, sa më lartë që ato shkojnë, aq më e madhe është edhe vlera monetare që fitohet për publikimin e imazhit.
Në disa shtete të drejtat e fëmijëve janë të garantuara përfshirë këtu edhe Francën, e cila e ka të miratuar ligjin për privatësinë e personave nën moshë.
Ligji francez i privatësisë thekson që çdokush që boton dhe shpërndan imazhe jo konsensuale të një personi tjetër, duke përfshirë një të mitur, mund të çojë në një dënim me një vit burg plus një gjobë të rëndë.
Rregullorja e Përgjithshme e BE-së për “Mbrojtjen e të Dhënave”, ndërkohë, parashikon një “të drejtë për t’u harruar”, e cila u mundëson njerëzve të kërkojnë që të dhënat e tyre të fshihen nga uebet e caktuara.
Në një intervistë për Albanian Post, psikologu, Imri Zabeli, tregon se edhe pse në Kosovë nuk ka një ligj që mbron privatësinë e personave nën moshë, ekspozimi i tepërt në rrjete sociale mund të qoj më shumë në dëme psikologjike sesa benefite pozitive.
“Sa i përket ligjshmërisë, prindërit deri në një farë mase zotërojnë autonomi në raport me fëmijët e tyre, duke përfshirë edhe të drejtën për prezantimin e fëmijëve në rrjete sociale, derisa e njëjta nuk është e sanksionuar me ligje”.
“Por a është e shëndetshme? Kjo përmban më tepër argumente të cilat janë në favor të mos ekspozimit të fëmijëve në rrjetet sociale, përfshirë këtu sigurinë e tyre fizike dhe psikosociale”, thotë Zabeli.
Sipas, psikologut, Zabeli, fëmijët e “popullarizuar” mund të hasin në vështirësi të formimit të tyre në jetë.