Shqiptarët shtojnë kursimet, ekspertët: Një pjesë e parave mund të investohen në tregun e kapitaleve

Soft

Shqiptarët shtojnë kursimet, ekspertët: Një pjesë e

Në Shqipëri, ku çmimet e ushqimeve janë shpesh më të larta se në vendet e tjera të rajonit, ndërsa pagat mbeten më të ulëta, qytetarët po arrijnë të kursejnë gjithnjë e më shumë para, muaj pas muaji.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursimet e shqiptarëve në lekë dhe valutë (Grafik 1) kanë arritur në 1.53 trilionë lekë, nga 1.38 trilionë lekë që ishin një vit më parë.

“Kjo do të thotë që vetëm një pjesë e vogël e popullsisë, rreth 23-24%, zotëron këto 15 miliardë euro kursime në banka, ndërkohë që pjesa tjetër e shoqërisë duhet t’ia dalë nga një muaj në tjetrin. Pra, kemi një popullsi të madhe që jeton me vështirësi dhe një pjesë të vogël që nuk di ku t’i investojë paratë”, shprehet eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa.

Ndërkohë që rreth tre të katërtat e qytetarëve presin të marrin pagën për të përballuar shpenzimet e jetesës, pjesa tjetër preferon t’i mbajë kursimet në banka, pa i orientuar drejt investimeve që do të kishin një ndikim pozitiv në ekonomi.

“Kjo është një shenjë e mungesës së një tregu të mirëfilltë kapitalesh. Ne kemi shumë kursime, kemi kompani që po rriten dhe të ardhurat për frymë sipas PBB-së janë në rritje, por përveç letrave me vlerë të qeverisë nuk ekziston një treg i zhvilluar kapitalesh ku qytetarët shqiptarë të investojnë në kompani dhe biznese shqiptare“, thotë Sefa.

“Qytetarët duhet të fillojnë të mendojnë për fondet private të pensionit. Sapo merret paga, një pjesë e saj, pavarësisht shumës, mund të investohet në një fond privat pensioni. Një tjetër përfitim është se për këto kontribute nuk aplikohet tatimi mbi të ardhurat. Për këtë arsye, ky është një opsion më i leverdishëm sesa mbajtja e parave në një llogari kursimi.”

Nga ana tjetër, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se edhe kursimet në euro kanë vijuar të rriten, pavarësisht se zhvlerësimi i euros ndaj lekut është thelluar gjatë muajve të fundit.

ME TE LEXUARAT