Shqipëria pret uljen e çmimeve! Price Watch kërkon kohë, në Greqi 1.600 produkte shiten deri në 30% më lirë

Soft

Shqipëria pret uljen e çmimeve! Price Watch kërkon kohë,

Ngritja e platformës Price Watch Albania, sipas qeverisë, pritet të garantojë transparencë dhe të frenojë rritjen e pajustifikueshme të çmimeve për disa produkte të shportës dhe detergjentë.

Por që kjo formë monitorimi të sjellë më pas edhe ulje të çmimeve për produktet e shportës, kërkon kohë dhe bashkëpunim.

“Që të shihet qartë një rezultat në reduktimin e çmimeve, duhet një kohë e gjatë që kjo politikë të aplikohet. Ashtu siç duhet edhe një akordim me një sërë institucionesh, si: Tatimet, Autoriteti i Konkurrencës dhe inspektoratet që merren me produktet ushqimore, si AKU-ja”, u shpreh Igli Tola-ekspert ekonomie.

Ndërkohë që qeveria jonë kërkoi një vit kohë për të garantuar transparencën për konsumatorët, shteti grek ka përparuar më tej. Prej ditësh, qytetarët e tij mund të blejnë 1,600 produkte ushqimore dhe mjete shkollore 5–30% më lirë.

“Përshëndetje! Jam në një nga supermarketet më të mëdha të Greqisë. Tani do t’ju tregoj çmimet para uljes që ka bërë shteti dhe sa janë bërë tani. Vaji kushtonte 6,10 euro dhe tani kushton 5,54 euro”, u shpreh Klarti Dervishi-emigrant shqiptar në Greqi.

Për ekspertin e ekonomisë, Igli Tola, në kohë krize vendimet e qeverisë shqiptare janë gjithnjë të vonuara dhe joefektive.

“Vendi ynë është ndër vendet e fundit për sa i përket të qenit aktiv në këtë drejtim dhe këtë e kemi parë jo vetëm në krizën aktuale, por edhe në fillimin e luftës Rusi–Ukrainë, që pati një periudhë të zgjeruar inflacioniste. Qeveria u mjaftua vetëm me ngritjen e bordeve të karburanteve dhe ushqimeve bazë, por pa qenë aktive në subvencionimin e konsumit apo në reduktimin e një sërë taksash për ato produkte që janë imediate për konsum”, u shpreh Tola.

Kurse në Greqi, ushqimet më të lira kanë shkaktuar radhë të gjata në dyert e supermarketeve.

“Përshëndetje! I gjithë supermarketi ka ulje dhe prandaj është mbushur me kaq shumë njerëz. Ja, në këtë raft kemi salcën e domates. Çmimi më parë ka qenë 1,43 euro, ndërsa tani është 0,84 euro. Po të shikoni, makaronat pa ulje kushtonin 1,46 euro, ndërsa me ulje kanë shkuar në 0,99 euro. Toni kushtonte 8 euro, ndërsa me ulje është 5,50 euro. Gjalpi ka kushtuar 2,92 euro, ndërsa tani ka shkuar në 2,18 euro”, tha Olsi, emigrant shqiptar në Greqi.

Konfliktet në Lindjen e Mesme, që pasuan me ndryshimin e çmimit të karburanteve, më pas sollën edhe shtrenjtimin e produkteve të shportës.

ME TE LEXUARAT