Sa kushton rritja e një fëmije, 450 mijë lekë, vetëm gjatë vitit të parë!

“Sa kushton një fëmijë?” është një pyetje e rëndësishme për çdo prind të ri, sidomos në një kohë kur kostot e jetesës janë në rritje. Shpenzimet e lidhura me shtatzëninë dhe rritjen e një fëmije përfshijnë një gamë të gjerë faktorësh, nga kujdesi prenatal dhe lindja, deri te nevojat e përditshme pas lindjes.
Në total, këto shpenzime mund të arrijnë mesatarisht 450 mijë lekë, vetëm gjatë vitit të parë të jetës së fëmijës
Të rritësh një fëmijë sot është bërë më e kushtueshme se kurrë. Çmimet në rritje për mallrat dhe shërbimet po krijojnë sfida të reja për familjet, duke filluar nga nevojat bazë si ushqimi për fëmijë dhe pelenat, e deri te faturat e spitalit, që shpesh mbeten një barrë e rëndë financiare.
Për këtë arsye, është thelbësore që prindërit e ardhshëm të kenë një pasqyrë realiste të shpenzimeve që i presin.
Lajmi i mirë?
Foshnjat nuk kanë nevojë për shumë gjëra luksi. Artikujt thelbësorë, si një karrocë për të lëvizur apo një krevat i përshtatshëm, janë të domosdoshëm, por lista nuk është aq e gjatë sa mund të mendohet. Megjithatë, kostot e përsëritura si kujdesi për fëmijën mund të ndryshojnë ndjeshëm, në varësi të vendndodhjes dhe nevojave specifike të familjes.
Rritja e një të vogli nuk përfshin vetëm emocionet e bukura dhe kujtimet e paharrueshme, por edhe një ndikim të ndjeshëm në buxhetin familjar. Ky realitet kërkon planifikim të kujdesshëm financiar për të përballuar koston e artikujve bazë, por gjithashtu për të bërë zgjedhje të mençura ekonomike.
Gjatë pesë viteve të fundit, çmimet për produktet e fëmijëve janë rritur ndjeshëm. Nga pelenat dhe ushqimet e deri te produktet kozmetike apo veshjet, zgjedhjet janë bërë më të shumta, por edhe më të shtrenjta.
Produktet që blejmë për bebet janë thuajse të gjitha produkte importi. Por edhe për fëmijët në parashkollor apo ata që ndjekin arsimin 9-vjeçar, produktet bazë për ta: veshjet, ushqimet, këpucët janë produkte të importuara dhe prodhime vendase. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2024, inflacioni arriti në 2.2%, por shumica e grupeve të shportës së mallrave u rritën mbi këtë nivel. Rritjen më të lartë të çmimeve në vitin 2024 e kishin zarzavatet (6.2%), kondicionerët (5.4%), akomodimi në hotele (5.2%).
Gjithashtu, rritje mbi mesataren kishin edhe veshjet për fëmijë (5.1%), mallra dhe shërbime shtëpie (4.8%). Të dhëna të detajuara tregojnë se rritje mbi inflacionin mesatar kanë shënuar kryesisht ushqimet dhe mallrat për shtëpinë. Të gjitha mallrat dhe shërbimet që kanë lidhje me shtëpinë, të tilla si elektroshtëpiake, tapiceri, mobilie janë rritur mbi 2.5 deri në 4%.
Kostot variojnë nga disa faktorë:
Procesi i ngjizjes është hapi i parë drejt shtatzënisë dhe mund të ndikojë dukshëm në kostot totale, në varësi të metodës së zgjedhur ose e nevojshme për çiftin.
Ngjizja natyrale është procesi më i zakonshëm dhe shpesh nuk shoqërohet me kosto financiare direkte. Megjithatë, kërkon shëndet të mirë riprodhues të çiftit dhe kohë për të arritur shtatzëninë.
Për shumë çifte, mund të jetë një proces i shpejtë, por për disa të tjerë, mund të zgjasë më shumë se sa pritej, duke sjellë shqetësime dhe nevojën për konsulta mjekësore. Konsultimet fillestare për kontrollin e fertilitetit, edhe pse minimale në krahasim me opsionet e tjera, mund të shtojnë shpenzime të paparashikuara për testime për të dyja gjinitë.
IVF është një nga metodat më të njohura dhe më të përdorura për çiftet që hasin vështirësi. Ky proces është kompleks dhe përfshin disa hapa mjekësorë. Në Shqipëri, kostoja mesatare për një cikël IVF është rreth 2000 euro, por kjo shumë mund të rritet ndjeshëm nëse nevojiten trajtime shtesë, si përdorimi i donatorëve, analizat gjenetike të embrioneve përpara implantimit, apo trajtime të tjera ndihmëse për të përmirësuar suksesin e procesit.
Në praktikë, në spitalet shtetërore ende nuk ka nisur praktikimi falas i IVF-ve, një projekt i nisur më herët.
-Mosha e gruas: Gratë mbi moshën 35 vjeç shpesh kërkojnë më shumë medikamente ose cikle të përsëritura, duke rritur ndjeshëm koston.
-Gjendja e përgjithshme shëndetësore: Probleme si sindroma e vezoreve policistike (PCOS), endometrioza, apo sëmundje të tjera mund të kërkojnë trajtime paraprake për të përmirësuar shanset e suksesit.
-Numri i cikleve: Mesatarisht, një grua mund të ketë nevojë për më shumë se një cikël IVF për të arritur një shtatzëni të suksesshme, duke shumëfishuar shpenzimet totale.
Ndërkohë, përveç kostove mjekësore, çiftet shpesh përballen me ndikime emocionale dhe stres, të cilat mund të ndikojnë jo vetëm në shëndetin e tyre, por edhe në vendimet e mëtejshme mbi trajtimet. Kjo bën që ngjizja, natyrale apo artificiale, të jetë një proces që kërkon jo vetëm burime financiare, por edhe mbështetje të plotë psikologjike dhe emocionale.
Kujdesi prenatal është një element thelbësor për të siguruar një shtatzëni të shëndetshme, si për nënën, edhe për foshnjën. Ky proces përfshin një seri vizitash, analizash dhe ndërhyrjesh mjekësore që monitorojnë mirëqenien fizike dhe emocionale të nënës dhe zhvillimin e foshnjës.
Zgjedhja ose nevoja për një lloj të caktuar lindjeje, natyrale ose me operacion cezarian, ndikon ndjeshëm në koston totale të procesit të lindjes. Kjo diferencë nuk është vetëm një çështje financiare, por edhe e natyrës së procedurës, komplikimeve të mundshme dhe kujdesit pas lindjes.
Lindja natyrale është procesi biologjik që zakonisht kërkon më pak ndërhyrje mjekësore. Në teorinë e kujdesit publik, kjo lloj lindjeje ka një kosto minimale ose është falas për nënat që kanë sigurime shëndetësore.
Megjithatë, në praktikë, shpesh hasen kosto të tjera “të fshehura”, si pagesa për kujdes shtesë nga mjekët, infermierët apo stafi tjetër, që në spitale publike zakonisht variojnë nga 30,000 deri në 60,000 lekë. Në sektorin privat, lindja natyrale kushton mesatarisht 1000 euro, duke përfshirë shërbime si dhomat private, mbikëqyrjen e vazhdueshme dhe kujdesin post-lindje.
Operacioni cezarian është një procedurë kirurgjikale që kryhet kur lindja natyrale është e pamundur ose e rrezikshme për nënën ose foshnjën. Për shkak të natyrës më komplekse të këtij operacioni, kostoja e tij është më e lartë.
Çmimi për një vizitë të zakonshme pediatrike varion në Shqipëri, por mesatarisht është rreth 2500 – 3500 lekë për vizitë. Kjo tarifë mund të jetë më e lartë në raste kur kërkohen analiza shtesë ose ndihmë për trajtimin e ndonjë sëmundjeje të vogël, pas lindjes.
-Nevoja për barna dhe shtesa të tjera:
Përkujdesja e bebit gjithashtu përfshin sigurimin e barnave dhe produkteve të nevojshme për zhvillimin e tij të shëndetshëm. Këtu përfshihen qumështi formulë, vitaminat dhe minerale që mund të kërkohen për mbështetje të shëndetit të foshnjës, si dhe kremrat dhe produkte të tjera për kujdesin e lëkurës delikate të bebit. Për foshnjat që lindin para kohe, ndihma mjekësore shtesë dhe ilaçet për mbështetje të sistemit të tyre imunitar mund të kenë kosto të larta.
Po ashtu, çdo lloj trajtimi i caktuar për ndonjë problem të mundshëm shëndetësor, që mund të zhvillohet në këtë periudhë, mund të kërkojë barna të shtrenjta, të cilat mund të shkojnë deri në 5000 – 10000 lekë në muaj, në varësi të nevojave.
-Kozmetika e bebit: Foshnjat kërkojnë produkte speciale kozmetike për kujdesin e lëkurës së tyre të ndjeshme.
Kjo përfshin shampo, kremra hidratues, pastrues dhe produkte të tjera për higjienën e trupit të foshnjës. Shpenzimet për këto produkte mund të shkojnë mesatarisht 5,000 lekë në muaj për vitin e parë.
-Rrobat e bebit: Foshnjat kanë nevojë për rroba të veçanta që janë të rehatshme dhe sigurojnë zhvillimin e duhur.
Këto rroba duhet të jenë të përshtatshme për stinën dhe të lehta për t’u veshur. Mesatarisht, shpenzimet për rroba të foshnjës mund të jenë mesatarisht 50,000 lekë gjatë gjashtë muajve të parë.
-Seti i karrocës dhe pajisjet e tjera për fëmijën: Një karrocë e mirë për foshnjën është një investim i nevojshëm dhe mund të kushtojë mesatarisht 50,000 – 100,000 lekë, përveç kostos së aksesorëve të tjerë, si mbulesat e karrocës dhe mbajtësit e foshnjës, tavolina e ndërrimit apo edhe pajisje të tjera që nuk grupohen te domosdoshmëritë.
-Krevati dhe mobiliet për dhomën e bebit: Një krevat i sigurt dhe mobilie të tjera janë të domosdoshme për të siguruar një mjedis të rehatshëm për fëmijën. Kostoja mesatare për këto pajisje është rreth 30,000 lekë.
-Mjete për ushqyerje dhe qumësht formula: Nëse nëna nuk mund të ushqejë fëmijën me gji, qumështi formula është një nevojë e përditshme. Shpenzimet për qumështin formula janë të konsiderueshme dhe mund të arrijnë deri në 15,000 në muaj.
Shpenzimet shtohen pas muajit të gjashtë të bebit në të cilin nis ushqyerja e tyre me ushqimet përkatëse të moshës.
-Aksesorët e tjerë: Këto përfshijnë lodra, tavolina për ngrënie, monitorë për të kontrolluar fëmijën dhe elemente të tjera që sigurojnë rehati dhe siguri. Shpenzimet për aksesorët e tjerë mund të shkojnë deri në 20,000 lekë.
Përllogaritur gjithsej, shpenzimet për periudhën e paslindjes mund të arrijnë rreth 250,000 lekë për vitin e parë të jetës së fëmijës, duke përfshirë të gjitha kategoritë e mësipërme.
Shpenzimet për periudhën e paralindjes dhe paslindjes janë të konsiderueshme dhe kërkojnë një planifikim të mirëfinancuar për të siguruar që çdo nevojë e foshnjës dhe nënës të mbulohet pa stres financiar.
Çmimet
– Çmimet për produktet dhe mallrat për rritjen e të vegjëlve kanë shënuar rritje në katër vitet e fundit. Ndërsa disa vite më parë pelenat, qumështi, produkte të tjera kozmetike, ushqimet e para kushtonin më pak, sot zgjedhjet janë të larmishme, por çmimet, më të shtrenjta. Duhet konsideruar se produktet për fëmijë janë kryesisht produkte importi.
– Sot, Instituti i Statistikave publikon raporte të vazhdueshme për kostot e jetesës në vend, por ende nuk ka një raport specifik lidhur me kostot / shpenzimet e familjeve shqiptare për fëmijët nga viti në vit.
– Kostot e paslindjes e të rritjes: produkte konsumi si pelena për 2 vite jete, veshje, kozmetika, kujdesi ditor kur nëna punon.
– Vetëm pelena në 2 vite jetë i kushtojnë prindit mesatarisht 86000 lekë. (Ka marka më të shtrenjta, morëm një mesatare)
Kosto
Kosto paralindjes 200 mijë lekë mesatarisht. Kosto e paslindjes (pra lindja dhe mjetet e bebit) 250 mijë lekë mesatarisht. Kosto e vitit të parë rreth 300 euro muaji (pelena, kozmetika, qumështi, rroba, vizita pediatrike). Pa përfshirë kosto e përkujdesit ditor, pra hamendësojmë se ky fëmijë një vit qëndron me nënën dhe jo me dado apo në institucione arsimore.
Përllogaritjet e kostove janë realizuar duke marrë në konsideratë çmimet e raportuara nga laboratorët e analizave, spitalet private, komunikime me mjekë obstetër në sisteme publike dhe private, si dhe vëzhgime disajavore në terren për produktet e bebeve./ Monitor


