Nënë Tereza, 10 vjet shenjtore/ Arkivat hapin dokumente të rralla për jetën dhe lidhjen e saj me Shqipërinë

Letra, dorëshkrime dhe dokumente të familjes Bojaxhiu u ekspozuan në Tiranë në 10-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Mes tyre, dëshmi nga Shkupi deri në Kalkutë dhe dokumente nga vizitat e saj në Shqipëri.
Në 10-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, Arkivat kanë hapur për publikun një koleksion dokumentesh të rralla që hedhin dritë mbi jetën, veprimtarinë dhe lidhjen e saj me Shqipërinë.
Ekspozita, e çelur në Tiranë, sjell për herë të parë për publikun një sërë letrash, dorëshkrimesh dhe dokumentesh historike që lidhen me familjen Bojaxhiu dhe rrugëtimin e Nënë Terezës nga Shkupi deri në Kalkutë.
Mes materialeve të ekspozuara janë edhe dëshmi nga vizita e parë e Nënë Terezës në Tiranë, në gusht të vitit 1989, si dhe dokumente që lidhen me takimet e saj me autoritetet shqiptare.
Në ekspozitë është paraqitur procesverbali i takimit me Ramiz Alinë në vitin 1990, një letër drejtuar tij, dokumente të familjes Bojaxhiu të ardhura nga Shkupi, si dhe një dorëshkrim në gjuhën shqipe, i vitit 1979, kushtuar popullit shqiptar.
Ambasadori i Kosovës, Skënder Durmishi, e cilësoi ekspozitën si një mundësi për të rikthyer në vëmendje misionin humanitar dhe trashëgiminë e Nënë Terezës.
Në të njëjtën linjë, përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut, Radmila Stojmirovska, vlerësoi figurën e Nënë Terezës si një personalitet që kapërcen kufijtë kombëtarë.
Përfaqësues të Komitetit Shtetëror të Kulteve vlerësuan dokumentet e ekspozuara si dëshmi të lidhjes së Nënë Terezës me vendorigjinën e saj dhe me popullin shqiptar.
10 vite nga shenjtërimi Nënë Tereza, e lindur Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkutë të Indisë.
Më 4 shtator 2016, ajo u shpall shenjtore nga Papa Françesku gjatë një ceremonie në Vatikan, duke u kthyer në një nga figurat më të njohura të humanizmit dhe bamirësisë në botë.
Dhjetë vjet pas shenjtërimit, dokumentet e rralla të ekspozuara në Tiranë sjellin në vëmendje jo vetëm veprimtarinë e saj humanitare, por edhe historinë e familjes Bojaxhiu dhe lidhjen e pandarë të Nënë Terezës me origjinën e saj shqiptare.


