“Myku i lëkurës përhapet më së shumti në verë” – Dermatologia jep alarmin dhe këshillat për mbrojtje

Në muajt e verës, rastet me myk të lëkurës shtohen ndjeshëm për shkak të lagështirës së lartë dhe temperaturave të nxehta.
Dermatologia Elna Çano paralajmëron se kjo është periudha më e rrezikshme për zhvillimin dhe përhapjen e kërpudhave të lëkurës, të cilat nuk kufizohen vetëm në trup, por mund të prekin edhe thonjtë dhe flokët.
“Myku është një infeksion i vërtetë dhe shpesh edhe ngjitës, jo thjesht një problem estetik”, – thekson ajo. Pacientët shpesh e nënvlerësojnë në fillim, por më pas shenjat përhapen në gjithë trupin dhe mund të bëhen të vështira për t’u trajtuar, sidomos kur prekin thonjtë.
Çano thekson se është thelbësore të mbahet një higjienë e mirë: tharja e plotë e trupit pas larjes, shmangia e lagështirës së tepërt në ambiente si sauna apo palestër, përdorimi i shapkave dhe veshjeve pambuku janë disa nga masat që ndihmojnë në parandalim.
Ajo paralajmëron të mos përdoren produkte mjekësore pa këshillën e dermatologut, pasi trajtimi i gabuar mund të përkeqësojë gjendjen. Vetëm me një diagnozë të saktë mund të arrihet edhe një kurë efektive.


