Mimoza Ahmeti në “Za Fest”: Shkodra të vë në provë me mprehtësinë, traditën dhe urtësinë e vet

Në ambientet e Muzeut Historik të Shkodrës, ka nisur edicioni i dhjetë i festivalit “Za Fest”, i cili feston një dekadë suksesi si një prej ngjarjeve më të spikatura kulturore në veri të Shqipërisë.
Nata e parë e këtij jubileu iu dedikua fjalës së shkruar, ku shkrimtarja Rita Petro dhe poetja Mimoza Ahmeti sollën për të pranishmit meditime mbi poezinë, krijimtarinë dhe pengesat me të cilat përbalet letërsia shqipe e ditëve tona.
Duke shprehur kënaqësinë për ftesën, Mimoza Ahmeti theksoi lidhjen e pazgjidhshme mes letërsisë dhe muzikës. Sipas saj, poezia, si shprehja më delikate e të menduarit, zgjeron caqet e gjuhës, ndërsa muzika komunikon përtej fjalëve. Ajo e cilësoi Shkodrën si një mjedis që të sfidon në çdo hap: me inteligjencën e banorëve, me shqipen e pastër, me trashëgiminë arkitektonike dhe me atë përmbajtje fisnike që ka ruajtur harmoninë e qytetit. Ahmeti shtoi se aty kënaqesh vërtet, por njëkohësisht ndjen një lloj përgjegjësie për të arsyetuar, perceptuar dhe artikuluar mendime të thella, sepse populli i Shkodrës dallohet për mençurinë e tij.
Rita Petro e vlerësoi këtë jubile si një arritje të shënuar, duke nënvizuar se festivalet që ngrenë traditë krijojnë një bashkësi të re shpirtërore. Në një kohë ku bota dixhitale na izolon, këto ngjarje na ribashkojnë fizikisht, duke u bërë si një tryezë e madhe vëllazërimi. Ajo e përshkroi festivalin si një revolucion të heshtur, ku secili gjen vendin e vet përmes muzikës, vargut dhe krijimtarisë. Për të, është thelbësore që “Za Fest” në Shkodër i jep zë lirisë së individit, sidomos kur në të përfshihen kaq shumë të rinj.
Në shenjë nderimi për dhjetëvjetorin, organizatorët shfaqën një dokumentar përmbledhës që risolli në kujtesë copëza të vyera nga rrugëtimi i festivalit, që nga starti i tij në Theth e deri te transformimi në një udhëkryq të rëndësishëm ku takohen arti, kultura dhe peizazhi natyror.
Aktiviteti i mbrëmjes hyrëse u kurorëzua me recitalin e këngëtares Linda Rukaj, e cila i dha fund me nota artistike natës së parë.
“Za Fest” do të vazhdojë edhe gjatë ditëve të ardhshme me një kalendar të pasur aktivitetesh, që gërshetojnë tingujt, letërsinë dhe artet pamore, duke mbledhur në Shkodër figura krijuese nga territoret shqiptare dhe vendet fqinje.


