Çmimet e 10 produkteve, konsumatorët do t’i shohin në platformë, për të mësuar se cili supermarket i ka më lirë

Nga dita e martë, konsumatorët do të kenë mundësi të shohin çmimet e produkteve të shportës në një platformë online, që quhet “Price Watch Albania”.
Në këtë portal, supermarketet kryesore në vend do të publikojnë çdo ditë çmimet për 10 produkte, në këtë fazë të parë të zbatimit.
“Kemi një ligj për mbrojtjen e konsumatorit. Në bazë të këtij ligji, subjektet duhet të publikojnë çmimet e tyre për publikun. Mbi këtë bazë, ne do t’ju kërkojmë të gjithë pikave të shitjes që të raportojnë çmimet e shitjes me pakicë të produkteve bazë të shportës. Do të nisim fillimisht me 10 produkte bazë dhe do ta kërkojmë këtë raportim të çmimeve te rrjetet kryesore të supermarketeve në vend. Më pas ngadalë, me kalimin e kohës do të zgjerohet edhe më tej lista e produkteve, për të bërë të mundur që aty të publikohen të gjithë çmimet e produkteve të shportës”, thotë Enkelejd Musabelliu, zv.ministër i Ekonomisë.
Edhe pse qeveria pranon që tregu vendas karakterizohet nga çmime të larta, ajo shpjegon se në një ekonomi të lirë, nuk mund të ndërhyjë për të përcaktuar marzhe fitimi.
“Ne si ministri pranojmë dhe jemi njësoj të shqetësuar si edhe publiku për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në Shqipëri, që është deri diku i lartë në krahasim me fuqinë blerëse të qytetarëve shqiptarë. Është pak e vështirë për shtetin në një ekonomi të lirë tregu që të kontrollojë dhe përcaktojë nivelin e çmimeve”, thotë Musabelliu.
Përmes kësaj nisme, Ministria e Ekonomisë synon jo vetëm të bëjë transparencë të çmimeve për konsumatorët, por edhe të nxisë konkurrencën mes operatorëve, gjë që në fund mund të çonte në një ulje të çmimit.
“Ne kemi marrë si modele Hunharinë, Sopanjën,. Portugalinë, Italinë, që kanë një platformë që krahason çmimet e produkteve të ndryshme në pika të ndryshme tregtimi, në mënyrë që edhe konsumatori të jetë më i informuar se cila pikë e tregtimit ka çmime më të ulëta, por edhe publiku më i gjerë të jetë i njohur dhe të ketë transparencë për nivelin e përgjithshëm të çmimeve për produktet bazë të shportës. Ne do të përpiqemi të analizojmë të gjithë zinxhirin e një produkti. Synimi është për të kuptuar në cilën hallkë ndodh rritja e çmimit dhe për të adresuar më pas këtë problematikë përmes politikave ligjore që mund të marrë qeveria”, sqaron Musabelliu.
Me integrimin në tregun e përbashkët europian, sipas ministrisë, subjektet tregtare shqiptare mund të ndjejnë presionin e konkurrencës dhe të rishikojnë çmimet për produkte apo shëbime të ndryshme.


