Çfarë e bën një mashkull të bukur?

Ideali i pranuar i bukurisë mashkullore po ndryshon vazhdimisht, dhe natyrshëm lind pyetja çfarë e bën një mashkull të bukur?
Gazetarja, Myra Ali, në një shkrim për BBC-n eksploron botën e djemve të bukur.
Në dekadat e kaluara, ikonat më të famshme të bukurisë mashkullore, kanë qenë yjet, me sy blu të ekranit si Brad Pitt ose Leonardo DiCaprio.
Por ideja se si duket mashkulli “perfekt” po evoluon ndërsa bota e filmit dhe modës përqafojnë një larmi më të madhe njerëzish.
Në të gjithë botën, standardi i idealizuar i formës mashkullore të skalitur ka reflektuar rrallë në trupin mesatar të njeriut.
Sidoqoftë, aplikacionet e mediave sociale si TikTok po ndihmojnë për të ndryshuar standardet e bukurisë mashkullore, duke shfaqur burra që më parë nuk do të konsideroheshin të bukur.
Modeli britanik, aktivist pozitiv i trupit dhe ylli i TikTok-ut, Ben James po ndryshon mënyrën se si i shohim burrat më të mëdhenj në trup.
Në vitin 2019, si një model me madhësi plus, ai mori pjesë në një fushatë reklamuese për markën e veshjeve “Simply Be”, duke u shfaqur së bashku me modele të tjera. James, thotë për BBC, se puna e tij “u jep rehati dhe besim djemve, u tregon atyre se ata janë të denjë”.
Teksa yjet femra me madhësi plus si Lizzo dhe modeli Ashley Graham, janë festuar gjerësisht, ekuivalentët e tyre meshkuj kanë qenë më pak në qendër të vëmendjes.
Kohët e fundit marka e të brendshmeve “Rihanna Savage Fenty”, ka ndihmuar në normalizimin dhe dhënien e një platforme për burrat më të mëdhenj.
A është kjo një shenjë e një demokratizimi në rritje të bukurisë mashkullore? Siç thotë James: “Unë do të doja të shihja industrinë e përmirësuar duke pasur forma të ndryshme trupore të përdorura në mënyra të papara më parë. Fokusi duhet të zhvendoset nga këto fizikë të arritura në mënyrë të panatyrshme që as vetë aktorët nuk mund t’i mbajnë”.
Ndërkaq, profesori i antropologjisë në Universitetin e Edinburgut, Alexander Edmonds, thotë për BBC: “Për shkak të trashëgimisë së skllavërisë dhe kolonializmit, imazhet e burrit të bukur kanë qenë gjithmonë shumë “të bardha” dhe në të kaluarën, kishte pengesa për të ndryshuar këtë, por kjo mund të jetë duke ndodhur tani”.
Kur supermodelët e zi, si Tyson Beckford dhe Alton Mason rregullisht mbulojnë kopertinat e GQ dhe revistave të tjera, bota e modës gradualisht po bëhet më e larmishme, ndoshta sepse ndryshimet globale sociale si: lëvizja “Black Lives Matter” kanë bërë që markat të njohin nevojën për larmi .
“Estetika dhe sjelljet mashkullore po ndryshojnë”, thotë Edmonds. “Ata nuk janë më idealët për të rinjtë. Kjo po ndodh shumë në Azinë Lindore, veçanërisht në kulturën pop të Koresë së Jugut”.
Në Korenë e Jugut, idealja është bërë më femërore, me rritjen e grupeve Pop të tilla si BTS, të njohura për stilin e veçantë. Kjo lloj bukurie do të konsiderohej joortodokse nga standardet tradicionale perëndimore, por, tani është shumë e kërkuar dhe me shumë ndikim në mediat kryesore.
Dhe nocioni konvencional i Mesdheut tip “i gjatë dhe i pashëm” është ende në kërkesë, pavarësisht nga diversiteti në rritje.
Kjo frazë, u përdor në Evropë në fillim të viteve 1900 dhe më pas u përdor në Hollywood gjatë viteve 1920 për të përshkruar yllin italian Rudolph Valentino.
Ajo ka mbetur një idiomë e përdorur shpesh, megjithëse kuptimi i saktë dhe konkluzioni i “i pashëm, i errët dhe i bukur” tani shqyrtohet dhe debatohet më nga afër.