Falja e detyrimeve tatimore, 30 Qershori data e fundit edhe për pagesat e paqes fiskale

Soft

Falja e detyrimeve tatimore, 30 Qershori data e fundit edhe për pagesat e

Bizneset që duan të përfitojnë nga ligji i faljes fiskale kanë edhe 15 ditë afat për të “shpëtuar” gjysmën e detyrimit tatimor që kanë për të paguar. Sipas afateve të përcaktuara nga administrata tatimore data 30 Qershor 2026 është afati i fundit për pagesën njëherësh të 50% të detyrimit principal, për të përfituar “fshirjen e 50% të tij”, për detyrimet tatimore të periudhës 2015–2019 si dhe për dorëzimin e deklaratave të padorëzuara për periudhën deri më 31.12.2024, për të përfituar faljen e gjobave për deklarim të vonuar.

Data 30 Nëntor 2026 është afati i fundit që kanë subjektet për të paraqitur pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse aktin e heqjes dorë nga ankimi.

31 Dhjetor 2026 është afati i fundit për pagesën e 75% të detyrimit principal, për të përfituar fshirjen e 25% të tij, për detyrimet tatimore të periudhës 2015–2019. Si dhe për pagesën e 100% të principalit, për të përfituar fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet tatimore të periudhës 2020–2024.

Sa i takon aplikimit të “paqes fiskale”, administrata tatimore bën me dije se 15 Maj 2026 është data kur ka nisur aplikimi në sistemin tatimor “e-Filing” për lidhjen e Marrëveshjes së Paqes Fiskale për vitin tatimor 2026.

Më 5 Qershor 2026 ka përfunduar afati për aplikimin në sistemin tatimor “e-Filing” për lidhjen e Marrëveshjes së Paqes Fiskale për vitin tatimor 2026.

Ndërsa më 15 Qershor 2026 është afati i fundit brenda të cilit subjektet që kanë aplikuar ditën e fundit (05.06.2026) mund të ngarkojnë në sistemin tatimor “e-Filing” marrëveshjen e nënshkruar.

Data 30 Qershor 2026 është afati i fundit për Tatimpaguesit të cilët në formularin e aplikimit për lidhjen e Marrëveshjes së Paqes Fiskale, kanë deklaruar që do të kryejnë rideklarimin e pasqyrave financiare, kur duhet të kryejnë pagesën e tatimit për çdo vit tatimor për të cilin është ndryshuar deklarata tatimore; Të dorëzojnë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore të juridiksionit formularin e aplikimit për rideklarimin e elementëve të veçantë të aktiveve, detyrimeve apo kapitaleve të veta të pasqyrave financiare vjetore; Të dorëzojnë në “e-Filing” pasqyrat financiare të rideklaruara; Të paraqesin sqarimet përkatëse për çdo ndryshim të kryer në pasqyrat financiare. Administrata Tatimore rezervon të drejtën për të kërkuar informacion shtesë.

ME TE LEXUARAT