Bitcoin bie në nivelin më të ulët që nga shkurti, rritet pasiguria në tregjet e kriptomonedhave

Soft

Bitcoin bie në nivelin më të ulët që nga shkurti,

Bitcoin ka shënuar një rënie të fortë, duke prekur nivelin më të ulët që nga shkurti dhe duke humbur më shumë se 25% të vlerës së tij gjatë këtij muaji. Kriptomonedha më e madhe në botë ra deri në 61 mijë dollar.

Analistët e tregut theksojnë se shitjet masive po drejtohen kryesisht nga investitorët afatgjatë, të cilët kanë nisur të likuidojnë zotërimet e tyre pas muajsh të tërë pa lëvizje. Vetëm në ditët e para të qershorit, këta investitorë kanë shitur rreth 2.4 miliardë dollarë në Bitcoin, përfshirë edhe mbajtës që kishin blerë kriptomonedhën kur çmimi i saj ishte mbi 90,000 dollarë.

Presioni është reflektuar edhe në tregun e derivateve, ku kërkesa për instrumente mbrojtëse ndaj luhatjeve të çmimeve është rritur ndjeshëm. Në të njëjtën kohë, fondet spot të Bitcoin në SHBA kanë regjistruar ditën e 13-të radhazi me dalje kapitali, me investitorët që kanë tërhequr edhe 50 milionë dollarë të tjerë.

Problemet e tregut të Bitcoin po zhvillohen në një sfond po aq të trazuar në Uashington, ku Akti i Qartësisë së Tregut të Aseteve Dixhitale një përparësi kyçe për industrinë e kriptomonedhave, po përpiqet të miratohet në Senatin e SHBA-së.

Projektligji, i cili do të përcaktonte rregulla për industrinë e aseteve dixhitale duke ndarë mbikëqyrjen midis Komisionit të Letrave me Vlerë (SEC) dhe Komisionit të Tregtimit të Kontratave të Ardhshme të Mallrave (CFTC), fitoi miratimin nga Komiteti Bankar i Senatit në një votim të ngushtë dypartiak më 14 maj.

Megjithatë, projektligji ende përballet me pengesa. Ndërsa Komiteti Bankar i Senatit, i cili mbikëqyr SEC-in, e ka miratuar legjislacionin, ai duhet të pajtohet me një version të veçantë nga Komiteti i Bujqësisë i Senatit.

Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, u bëri thirrje senatorëve të mërkurën që të miratojnë Aktin para pushimeve të verës. Duke folur para Komitetit të Financave të Senatit, ai tha se mezi priste miratimin e projektligjit dhe e përshkroi atë si pjesë të përpjekjeve për ta bërë SHBA-në “kryeqytetin e inovacionit në botë”.

ME TE LEXUARAT