Zbardhet misteri i ekzekutimit të reperit Tupac, dënohet ish-kreu i bandës

Showbiz

Zbardhet misteri i ekzekutimit të reperit Tupac, dënohet ish-kreu i
Pas afro 30 vitesh, çështja e vrasjes së reperit Tupac Shakur ka marrë një vendim gjyqësor. Ish-kreu i një bande kriminale, Duane “Keffe D” Davis, është shpallur fajtor për vrasjen e yllit të hip-hopit.

Siç raporton BBC, Juria në Las Vegas e shpalli 63-vjeçarin fajtor për ‘vrasje me armë vdekjeprurëse’, lidhur me atentatin ndaj Shakur më 7 shtator 1996.

Prokuroria argumentoi se Davis nuk ishte personi që qëlloi me armë ndaj reperit, por se ai kishte organizuar sulmin dhe kishte siguruar armën që u përdor nga nipi i tij, Orlando Anderson. Sipas akuzës, vrasja ishte një akt hakmarrjeje pas një përleshjeje mes Anderson dhe Shakur, disa orë para atentatit.

Tupac Shakur u qëllua gjatë një sulmi nga një automjet në Las Vegas, ndërsa ndodhej në një makinë me producentin Marion “Suge” Knight. Reperi ndërroi jetë disa ditë më vonë, në moshën 25-vjeçare.

Rasti mbeti për dekada një nga çështjet më të bujshme të pazbardhura në SHBA dhe nxiti teori të shumta konspirative. Vrasja ndodhi në një periudhë të tensionuar për skenën e hip-hop, kur rivaliteti mes Bregut Lindor dhe atij Perëndimor ishte i lidhur ngushtë edhe me konfliktet mes bandave Bloods dhe Crips.

Një nga provat kryesore kundër Davis ishin deklaratat e tij. Ai kishte pranuar publikisht në disa raste se ndodhej brenda Cadillac-ut të bardhë nga i cili u qëllua ndaj Shakur.

Në vitin 2008, gjatë një interviste sekrete me policinë, të zhvilluar në kuadër të hetimeve për vrasjen e reperit The Notorious B.I.G., Davis kishte folur për rolin e tij në ngjarje. Ai dha më shumë detaje edhe në kujtimet e tij të publikuara në vitin 2019, me titull “Compton Street Legend”.

Prokurorët argumentuan se këto deklarata e implikonin drejtpërdrejt Davis në organizimin e vrasjes. Në mbyllje të procesit, prokurori Binu Palal u kërkoi jurisë ta merrte Davis në fjalë dhe ta shpallte fajtor.

Nga ana tjetër, mbrojtja pretendoi se deklaratat e tij ishin të ekzagjeruara dhe pjesë e një historie të sajuar për të shitur libra dhe për të fituar para. Avokati Michael Sanft argumentoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për ta lidhur klientin e tij me vrasjen.

Megjithatë, juria e shpalli fajtor vetëm pak orë pasi mori çështjen për shqyrtim.

Pas leximit të vendimit, Davis deklaroi se do të apelojë. Gjykata ka caktuar datën 13 tetor për seancën e dënimit.

Familjarët e Tupac Shakur reaguan me emocione ndaj vendimit. Në sallën e gjyqit pati përqafime dhe lot, ndërsa jashtë gjykatës, fansa të shumtë të reperit festuan vendimin pas dekadash pritjeje.

Tupac Shakur mbetet një nga figurat më me ndikim në historinë e muzikës rap. Ai ka shitur më shumë se 75 milionë disqe në mbarë botën.

ME TE LEXUARAT