U akuzua për p*rdhunimin e një 13-vjeçareje, tërhiqet padia ndaj Jay Z

Padia ku Jay-Z dhe Sean “Diddy” Combs akuzoheshin për përdhunimin e një vajze 13-vjeçare është tërhequr. Sipas dokumenteve të publikuara nga Us Weekly, çështja që pretendonte se reperi i famshëm, emri i vërtetë i të cilit është Sean Carter, përdhunoi një vajzë 13-vjeçare së bashku me Diddy në një festë në shtator të vitit 2000, është tërhequr.
Avokati që përfaqëson paditësen anonime, e cila u identifikua si Jane Doe, e tërhoqi vullnetarisht padinë, tregojnë të dhënat e gjykatës.
Deklarata u dorëzua nga avokati Tony Buzbee, i cili përfaqëson dhjetëra paditës që pretendojnë sjellje të pahijshme seksuale kundër Diddy Combs.
“Çështja e rreme ndaj Jay-Z, e cila nuk duhej të ishte ngritur kurrë, u pushua”, tha avokati i reperit, Alex Spiro për Us Weekly.
“Duke u përballur me këto akuza të egra dhe të rreme, Jay-Z bëri atë që pakkush mundi, ai u kundërpërgjigj, nuk bëri kompromis, nuk pagoi asnjë cent, ai triumfoi dhe pastroi emrin e tij”, shtoi ai.
Vetë Jay-Z përmes kompanisë së tij “Roc Nation”, ka bërë një deklaratë në rrjetet sociale duke iu referuar pushimit të çështjes si një “fitore”.
“Sot është një ditë fitoreje. Akuzat e pabaza dhe të tmerrshme u hodhën poshtë. Kjo padi nuk kishte asnjë të vërtetë dhe nuk do të shkonte askund. Historia imagjinare që ata krijuan do të ishte qesharake, nëse nuk do të ishte për seriozitetin e akuzave. Nuk do ia dëshiroja askujt këtë përvojë. Trauma që pësuam gruaja ime, fëmijët e mi, të dashurit e mi dhe unë nuk mund të fshihet kurrë,” -shkroi Jay Z në X.
Pas lirimit të tij nga akuza për përdhunim, reperi shprehu mbështetjen e tij për viktimat e abuzimit seksual, si dhe për ata që janë akuzuar padrejtësisht. “Gjykatat duhet të mbrojnë viktimat, sigurisht, por me të njëjtën përgjegjësi morale ata duhet të mbrojnë të pafajshmit nga akuzat e pabaza, pa asnjë copë prove. Shpresoj që e vërteta të mbizotërojë si për viktimat ashtu edhe për ata që u akuzuan gabimisht”.


