Të shtëna me armë pranë rezidencës së Chris Brown në Los Angeles, arrestohet një person

Një incident me të shtëna armësh është regjistruar pranë rezidencës së këngëtarit Chris Brown në zonën Tarzana të Los Angeles, sipas autoriteteve lokale.
Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur në rrugë, jashtë pronës së artistit, pas një konflikti mes dy personave. Sipas raportimeve, një grua ka deklaruar se një burrë ka qëlluar drejt automjetit të saj gjatë një debati që ka nisur në zonë.
Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, kanë marrë dëshmitë e personave të përfshirë dhe kanë ndërhyrë për të vënë situatën nën kontroll. I dyshuari është arrestuar dhe po hetohet për sulm me armë dhe dëmtim prone.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti dyshohet se ka nisur pasi gruaja nuk është larguar nga zona, duke u përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Autoritetet theksojnë se të shtënat kanë ndodhur jashtë rezidencës dhe jo brenda saj, ndërsa ende nuk dihet nëse Chris Brown ndodhej në shtëpi në momentin e ngjarjes apo nëse ka ndonjë lidhje me personat e përfshirë. Hetimet vijojnë.


