“Të hoqëm sepse ke lindur”, aktorja e njohur rrëfen si e larguan nga puna në Akademinë e Arteve

Showbiz

“Të hoqëm sepse ke lindur”, aktorja e njohur rrëfen

Rozi Kostani, aktore dhe regjisore e njohur, ka pasur një karrierë të gjatë dhe të pasur në art. E ftuar në emisionin “Rudina”, ajo ndau një histori personale që pati një ndikim të madh në jetën dhe profesionin e saj.

Në korrik të vitit 2003, Rozi u bë nënë, një moment i lumtur për të, por që nuk u pa njësoj nga të gjithë. Asokohe, ajo ishte pedagoge në Akademinë e Arteve, por kur u kthye në shtator për të rifilluar punën, iu komunikua se ishte larguar nga detyra vetëm sepse kishte sjellë në jetë një fëmijë.

 “Unë kam kaluar një vështirësi që më ka tronditur themelet dhe aty mendoj që jam rritur. Në vitin 2003 kam lindur vajzën dhe unë prej 25 vitesh jap mësim në Akademinë e Arteve. Unë e kam lindur në Korrik dhe shkoj në Shtator, sepse fillonte shkolla në Shtator dhe më thotë shefja e departamentit ‘ne të kemi hequr sepse ti ke lindur dhe nuk mundesh dot që të vish në punë’. Kjo ka qenë një goditje që s’kam për ta harruar gjithë jetën”, tregon aktorja.

Ky vendim e tronditi thellë, duke e bërë të reflektojë mbi padrejtësinë dhe mbështetjen mes grave. Ajo e përjetoi si një goditje të rëndë, veçanërisht duke qenë se vendimi për largimin e saj ishte marrë nga një grua. Për të, ishte e pabesueshme që një femër mund të përpiqej të pengonte një tjetër për diçka kaq natyrore dhe të bukur si lindja e një fëmije.

Megjithatë, tentativa për ta larguar dështoi. Profesori Milton Kutali, i cili atëherë ishte pjesë e një tjetër departamenti, ndërhyri dhe e pranoi Rozin në strukturën e tij, duke i ofruar mundësinë për të vijuar punën. Sot, ai është dekani i fakultetit, dhe Rozi shpreh mirënjohje të përjetshme për gjestin e tij të ndershëm dhe mbështetës.

 

 

ME TE LEXUARAT