Pasuria me më shumë se 24 milionë euro e Liam Payne do t’i kalojë të ...

Djali 8-vjeçar i Liam Payne, Bear Grey Payne, pritet të trashëgojë të gjithë pasurinë e babait të tij të ndjerë, e cila vlerësohet në më shumë se 24 milionë euro.
Nga dokumentet e reja të administrimit të trashëgimisë, të depozituara në Gjykatën e Lartë të Britanisë së Madhe, rezulton se ish-anëtari i grupit “One Direction” nuk kishte lënë testament para vdekjes së tij në tetor të vitit 2024.
Bazuar në legjislacionin britanik për trashëgiminë, duke qenë se artisti nuk ishte i martuar dhe nuk kishte një partneritet civil të regjistruar, trashëgimtari i vetëm ligjor i pasurisë së tij është djali që ai pati me këngëtaren Cheryl Tweedy.
Dokumentet gjyqësore parashikojnë që një pjesë e pasurisë të përdoret për nevojat dhe mirëqenien e Bear përpara se ai të arrijë moshën madhore, ndërsa pjesa tjetër do të mbetet nën administrim të posaçëm deri në moshën 18-vjeçare.
Në maj të vitit 2025, Cheryl Tweedy dhe avokati i industrisë muzikore, Richard Bray, u emëruan administratorë të pasurisë së këngëtarit, me të drejtën për të menaxhuar dhe përdorur asetet në interes të trashëgimtarit të mitur.
Sipas të dhënave të përditësuara, pasuria e Liam Payne vlerësohet në rreth 26.5 milionë paund para zbritjes së detyrimeve dhe taksave, ndërsa vlera neto arrin në afro 21.9 milionë paund.
Ndër asetet më të vlefshme të artistit është një vilë luksoze me pesë dhoma gjumi në Chalfont St Giles, të cilën ai e kishte blerë në vitin 2021 për 3.25 milionë paund, me synimin për të qenë më pranë djalit të tij pas ndarjes nga Cheryl.