Parashqevi Simaku, mesazh të ndjerë për 60-vjetorin: Dua djalin dhe të kthehem në Shqipëri

Përvjetorët e lindjes për të gjithë janë momente feste, por për këngëtaren e njohur të muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, 60-vjetori ka ardhur me peshën e madhe të mallit dhe dy dëshira të paplotësuara.
Në një mesazh mjaft prekës të publikuar në këtë ditë të veçantë, artistja e skenës shqiptare ka hapur zemrën për publikun, duke rrëfyer se prapa viteve të jetës dhe arritjeve, sot numëron vetëm kohën e kaluar pa praninë e të birit, Lukës, si dhe mallin e pashuar për vendlindjen.
“Sot, në 60-vjetorin tim, kam vetëm dy dëshira të mëdha që dua t’i realizoj. E para dhe më e shtrenjta për mua është të bashkohem me djalin tim, Lukën. Dhe dëshira ime e dytë është të vij edhe një herë në Shqipëri, në Kavajën time”, shkruan Simaku.
Përmes fjalëve që mbajnë vetëm dashuri dhe asnjë qortim, këngëtarja i është drejtuar drejtpërdrejt të birit, duke i bërë me dije se krahët e saj do të jenë gjithmonë të hapur për të, pavarësisht distancës apo viteve që kanë kaluar në heshtje.
Krahas pengut prindëror, artistja nuk e fsheh as pengun për tokën ku lindi e hodhi hapat e parë të karrierës. Pas shumë vitesh larg, ajo shpreh dëshirën për t'u kthyer sërish në Kavajë, vendin ku sipas saj, "mbetet një pjesë e shpirtit".


