‘Palermo nuk jepet me qira’, dasma e Dua Lipës ndez tensione në Palermo, vendasit dalin në protestë

Showbiz

‘Palermo nuk jepet me qira’, dasma e Dua Lipës ndez tensione

Dasma luksoze e këngëtares Dua Lipa dhe aktorit Callum Turner në Palermo të Italisë ka shkaktuar reagime të forta mes banorëve vendas, ndërsa policia dhe forcat e sigurisë kanë shtuar masat rreth vendeve ku po zhvillohen festimet.
Sipas raportimeve, qindra të ftuar kanë nisur të mbërrijnë në Siçili për ceremoninë treditore, ndërsa zona përreth sheshit Piazza Croce dei Vesperi dhe Palazzo Gangi është rrethuar me barriera, ekrane të mëdha dhe kontrolle të rrepta sigurie.

Banorët kanë vendosur postera proteste në rrugët e Palermos, duke kundërshtuar kufizimet e vendosura për shkak të dasmës.

Në pankarta shkruhej: “Palermo nuk jepet me qira. Hapësirat publike u përkasin të gjithëve” dhe “Sheshi ynë nuk është dhoma juaj e ndenjes”.

Raportohet se disa biznese lokale janë detyruar të mbyllen më herët, ndërsa banorëve që jetojnë pranë zonave të festimeve u është kërkuar të mbajnë të mbyllura ballkonet dhe dritaret që kanë pamje nga aktivitetet.

Gjithashtu, janë krijuar zona ku ndalohet fluturimi i dronëve dhe mbi 50 truproja janë angazhuar për sigurinë e eventit.

Megjithatë, kryebashkiaku i Palermos, Roberto Sgalla, ka mbrojtur organizimin e ceremonisë, duke deklaruar se prania e një emri global si Dua Lipa sjell promovim ndërkombëtar dhe përfitime ekonomike për qytetin.

Ai pranoi se masat mund të kenë shkaktuar shqetësime të përkohshme, por theksoi se ato janë të nevojshme për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve.

Dasma e çiftit, e vlerësuar rreth 1.5 milionë euro (rreth 1.78 milionë euro), pritet të jetë një nga ngjarjet më të përfolura të vitit në botën e showbiz-it.

ME TE LEXUARAT