"M*ta, ju shkeli dhe vdes”, deklaroi se u trafikua dhe përdhunua, lirohet nga qelia babai i Miss Kosova

Historia tronditëse e Tuti Sejdiut preku zemrat e të gjithëve. Bukuroshja kosovare zbuloi ditën që rrëmbeu kurorën e Miss Kosova se ishte trafikuar në Serbi nga komshiu i saj dhe atje ishte përdhunuar nga persona të ndryshëm.

Ajo deklaroi në pasarelë se kurorën e më të bukurës, ia kushtonte babait të saj, i cili ishte futur në burg “pasi luftoi për të”.

Por ditën e sotme, mësohet se i ati i Miss-it është liruar nga paraburgimi. Gazeta Express raporton se shtetasi H. Sejdiu është arrestuar më 1 korrik të këtij viti nën akuzën e “Kanosjes”, ndërsa ndaj tij Gjykata Themelore e Gjilanit kishte caktuar masën një muaj paraburgim, konkretisht deri më datën 31 korrik të këtij muaji.

Por, të njëjtit me kërkesë të Prokurorisë Themelore të Gjilanit i është ndërprerë masa e paraburgimit.

“Më datë 16.07.2021, Prokuroria Themelore ne Gjilan ka bere kërkesë për ndërprerjen e masës së paraburgimit dhe gjyqtari ka aprovuar kërkesën dhe ka ndërprerë masën e paraburgimit”, ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Sabit Shkodra.

Në aktvendimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj H. Sejdiu, thuhet se i ai ka kanosur Kryetarin e Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi dhe zyrtarë të tjerë lidhur me një vendim gjyqësor.

Aty theksohet se i pandehuri ka kanosur me fjalët “bre muta, ju shkeli dhe vdes”.
“Me këtë rast janë lajmëruar organet e rendit dhe me datë 01.07.2021, është arrestuar nga Policia e Kosovës. Me datë 02.07.2021, Prokuroria Themelore e Gjilanit, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj të pandehurit”, thuhet në aktvendim.

Shtetasi H. Sejdiu është gjykuar dy herë nga Gjykata Themelore e Gjilanit: Në vitin 2019 për veprën penale “kanosje” është dënuar me 90 ditë burgim me kusht për një vit dhe në vitin 2020 për veprën penale “ngacmimi” është dënuar me 7 muaj burgim me kusht për një vit.


