Këngëtarja e famshme flet hapur për sherrin me motrën e saj: Nuk ka asnjë mundësi pajtimi

Kelly Osbourne ka folur hapur për marrëdhënien e tensionuar me motrën e saj më të madhe, Aimee Osbourne, duke deklaruar se nuk sheh asnjë mundësi që ato të pajtohen në të ardhmen. 41-vjeçarja tha se e ka pranuar faktin se të dyja janë shumë të ndryshme dhe se nuk dëshiron ta ketë motrën pjesë të jetës së saj.
Gjatë një interviste në podcast-in We Need To Talk, Kelly akuzoi Aimee se nuk e kishte pranuar as atë dhe as vëllain e tyre Jack gjatë fëmijërisë. “Nëse nuk do të më pranosh për atë që jam dhe vazhdimisht përpiqesh të më ndryshosh e të thuash gjëra të tmerrshme për mua, nuk të dua në jetën time”, u shpreh ajo. Kur u pyet nëse ekziston ndonjë shpresë për pajtim, përgjigjja e saj ishte e prerë: “Jo, jo”.
Kelly rrëfeu se distanca me motrën i ka lënë një ndjesi të vazhdueshme humbjeje. “Nuk kam pasur kurrë një motër të madhe”, tha ajo, duke pranuar se ka një lloj pakënaqësie për faktin se nuk ka përjetuar marrëdhënien që do të dëshironte me një motër më të madhe. Sipas saj, gjatë fëmijërisë ajo dhe vëllai Jack ishin shumë më të afërt.
Ajo pretendoi gjithashtu se Aimee dukej sikur ishte “në siklet” nga familja e tyre e famshme. Aimee, vajza e madhe e Sharon dhe të ndjerit Ozzy Osbourne, refuzoi të merrte pjesë në reality-show-n The Osbournes dhe u largua nga shtëpia në moshën 16-vjeçare, për të shmangur ekspozimin publik. Më vonë ajo ndoqi karrierën muzikore me emrin ARO dhe zgjodhi një jetë shumë më private se pjesëtarët e tjerë të familjes.
Marrëdhënia e ftohtë mes motrave nuk është e vetmja përçarje në familje. Edhe Jack Osbourne ka folur më herët për distancën me Aimee, duke thënë se ata “nuk janë aspak të afërt”. Ndërsa Kelly dhe Jack u bënë të famshëm përmes The Osbournes, Aimee zgjodhi të mos ishte pjesë e serialit, një vendim që, sipas vëllait të saj, lidhej edhe me dëshirën për të ndërtuar një imazh të veçantë në muzikë dhe për të shmangur ekspozimin televiziv.


