Jennifer Aniston dhe Jim Curtis përdorin këtë praktikë “të fuqishme” në marrëdhënien e tyre

Jim Curtis ka folur si rrallëherë për marrëdhënien e tij me Jennifer Aniston dhe në një intervistë të re ai ka treguar se si çifti përpiqet të përballojë mosmarrëveshjet, ndërsa lidhja e tyre vijon të jetë ende në fazat e para.
Duke folur në emisionin e Jamie Kern Lima, Curtis tregoi për një praktikë tradicionale havaiane të quajtur Ho’oponopono, të cilën e ka përdorur gjatë seancave të terapisë në grup. Praktika bazohet në katër shprehje të thjeshta: “Më vjen keq. Të lutem, më fal. Faleminderit. Të dua.”

Kern Lima tregoi se e përdor këtë praktikë edhe me bashkëshortin e saj, veçanërisht gjatë mosmarrëveshjeve apo debateve, dhe e cilësoi si shumë ndihmuese. Ajo e pyeti Curtis nëse ai dhe Aniston e përdorin të njëjtën mënyrë.
“Ne meditojmë shumë dhe flasim shumë”, u përgjigj Curtis. Ai shtoi se çifti e ka përdorur edhe këtë praktikë, por nuk është mënyra e parë tek e cila drejtohen kur përballen me një problem.
Sipas Curtis, një marrëdhënie mund të kërkojë mjete të ndryshme në periudha të ndryshme. Ai shpjegoi se pas shumë vitesh bashkë, partnerët mund të kenë më pak nevojë të mbrohen emocionalisht ndaj njëri-tjetrit, pasi e dinë se janë në të njëjtën anë.

“Kur e përdor këtë, ulen mbrojtjet. Është si të thuash: ‘Nuk kam më nevojë të jem i mbrojtur ndaj teje, sepse jemi në të njëjtën anë dhe të dua’”, tha ai.
Por për marrëdhënien e tij me Aniston, e cila deri më tani ka zgjatur rreth një vit e gjysmë, Curtis tha se ata mbështeten më shumë te meditimi, pranimi dhe mirëkuptimi.
“Në fazat e para të një lidhjeje, mjetet që përdor nuk kanë pse të jenë kaq të fuqishme”, tha ai.
Curtis foli gjithashtu me shumë ngrohtësi për partneren e tij, duke thënë se marrëdhënia po shkon shumë mirë. Ai e përshkroi Aniston si një person të qetë, të hapur, të kujdesshëm, të sjellshëm dhe të dashur.

Aniston dhe Curtis u lidhën për herë të parë në mënyrë romantike në korrik të vitit të kaluar, kur u fotografuan së bashku gjatë një pushimi në Mallorca të Spanjës. Në nëntor, aktorja e bëri lidhjen publike në rrjetet sociale, duke i uruar Curtis-it ditëlindjen me një fotografi bardhë e zi.


