Edlira Çepani për Gertin: Me fat që jetuam 20 vite, sot pa të ndihem gjysmë!

Edlira Çepani ka vendosur të thyejë heshtjen, 5 muaj pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Gert Bogdani i cili humbi jetën si pasojë e një ataku kardiak, të mërkurën e 18 shtatorit 2024.
Aktivistja tregon se Gerti për të ishte gjysma e tij më e mirë dhe se pa të ndihet jo e plotësuar por ka vendosur që dhimbjen ta kthejë në forcë për vete dhe dy fëmijët e saj.
"Është shumë e vështirë për mua që të flas. Kam pasur shumë kërkesa që të flas gjatë kësaj kohe, e kam pasur të pamundur por do të doja të falënderoja të gjithë median, t’ju falënderoja juve për të gjitha kronikat, ndjekjen, fjalët e mira, nuk kam pasur asnjëherë mundësinë ta bëj këtë publikisht, por realisht shumë faleminderit sepse ka qenë një moment force edhe për ne. Është një moment që unë realisht nuk do ia uroja askujt dhe në këto momente njeriu kupton sa i brishtë është në këtë botë dhe sa pak kohë kemi të gjithë në këtë tokë të cilën herë pas here ne jetojmë sikur jejmi të përjetshëm dhe harrojmë që janë disa gjëra që realisht duhet t’i jetojmë sot.
Fati më i mirë dhe gjëja më e bukur që ka bërë Gerti është që ai jetonte në mënyrë të plotë, kishte prioritetet e veta dhe prioriteti më i madh i tij ishin familja e fëmijët.
Nuk hoqi kurrë dorë nga ky prioritet, me gjithë ngarkesën që kishte, problemet, situatat që krijoheshin, gjithmonë vinte të parët familjen dhe fëmijët dhe kjo për mua ka qenë gjithmonë një shkollë sepse e shihja dhe thosha sa mirë që kemi krijuar këtë familje kaq të fortë dhe me dashuri kaq të madhe, 20 vitet që ishim bashkë dhe jam realisht mirënjohëse që e pata për atë kohë.
E thashë pak edhe në fillim, mbështetja e jashtëzakonshme e çdo njeriu që unë kam takuar, që më ka përqafuar fort, që më ka shkruar ka qenë një forcë e madhe për mua për të gjithë familjen. Në këto 5 muaj, sa herë unë dal në rrugë, ka njerëz të cilët më ndalojnë, më thonë ndjesë se nuk të njoh por doja të të jepja një përqafim dhe kjo është një nga forcat më të mëdha që ne kemi pasur. Njerëz pafund që më kanë shkruar historitë e tyre, gra që më kanë treguar eksperiencat e tyre që ishin të ngjashme me këtë dhe më kanë dhënë forcë për të ecur përpara dhe për t’u bërë një zë edhe për ato. Gra të cilat më kanë shkruar për shumë lloje eksperiencash të cilat jo gjithmonë janë të mira.
Më kanë treguar sesi nuk ia kanë dalë dot, sesi kanë qenë vetëm, sesi duke më parë kanë gjetur forcë edhe ato për të ecur përpara dhe kjo më ka dhënë forcë edhe mua, edhe një lloj përgjegjësie për të shtyrë përpara të gjitha gjërat çuar përpara atë mision që ne kishim nisur bashkë me Gertin qëkur u kthyem, qëkur vendosëm të ktheheshim në Shqipëri. Ne kishim dëshirën që Shqipëria, të bënim diçka, të jepnim një kontribut dhe ai realisht u mundua me gjithë shpirt, me gjithë vështirësitë që kishte dhe gjithë problematikat që dalin në Shqipëri kur ti je një njeri që do të ecësh me integrritet, do të ecësh në rrugën e drejtë.. ai ia doli sepse mirësia e tij, integriteti i tij, gjithë ajo çka kishte bërë i bashkoi të gjithë njerëzit.
Kjo është një nga trashëgimitë më të bukura që na ka lënë, mua, fëmijëve, familjes së tij, të gjithë neve që e donim dhe atyre që besojnë se një jetë me vlera ia vlen", tha ajo në Klan.


