"Rritet presioni mbi Ramën"/ Media greke jehonë protestave në Shqipëri: Kërkohet hetim për dhunën policore (VIDEO)

Media greke “Protothema” i ka kushtuar një artikull protestave në Shqipëri, duke vënë në fokus akuzat për dhunë policore, kallëzimin e depozituar në SPAK dhe zgjerimin e mbështetjes për studentët nga sindikatat e arsimit.
Sipas medias greke, qeveria e Edi Ramës po përballet me presion në dy fronte: kërkesat për hetimin e përgjegjësive për ndërhyrjet policore dhe mobilizimin e studentëve, pedagogëve e mësuesve në protesta të reja. “Protothema” ndalet te kallëzimi penal i paraqitur nga qendra Res Publica, organizata, avokatë, studentë dhe qytetarë, të cilët kërkojnë hetimin e sjelljes së forcave të policisë gjatë protestave në Tiranë dhe qytete të tjera.
Sipas kallëzuesve, janë regjistruar më shumë se 180 incidente të dyshuara, që përfshijnë goditje ndaj protestuesve, përdorim joproporcional të forcës, arrestime të dhunshme dhe ndërhyrje nga efektivë me fytyra të mbuluara e pa shenja identifikuese. Artikulli thekson se kallëzimi drejtohet ndaj kreut të Policisë, Skënder Hita, dhe zyrtarëve të tjerë. Gjithashtu, kërkohet shqyrtimi i rolit të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Demo, për urdhrat që mund të jenë dhënë dhe komunikimet me drejtuesit e operacioneve policore.
‼️ Disturbing footage from Tirana, Albania 🇦🇱 A police officer catches fire after protesters throw a Molotov cocktail. We hope the officer is out of life-threatening danger. 🙏 https://t.co/LqlmPz35bx
— Kruja Chronicles (@FilteredZero) October 17, 2026
Kallëzuesit kërkojnë hetimin e të gjithë zinxhirit komandues, për të përcaktuar nëse incidentet kanë qenë veprime të izoluara apo pjesë e një praktike më të gjerë të organizuar për represion dhe frikësim. Siç nënvizon edhe media greke, depozitimi i kallëzimit është kërkesë për hetim dhe nuk përbën konstatim fajësie për personat e përmendur.
Në të njëjtën kohë, “Protothema” pasqyron mbështetjen e dy sindikatave të arsimit për mobilizimin e studentëve të shtunën, më 24 tetor. Sipas artikullit, tubimet janë paralajmëruar në orën 11:00 përpara Kryeministrisë dhe në orën 14:00 pranë Ministrisë së Arsimit.
Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë u ka bërë thirrje anëtarëve të saj të marrin pjesë, duke i lidhur kërkesat e protestuesve me dinjitetin e mësuesve, cilësinë e arsimit dhe perspektivën e brezit të ri. Mbështetje ka shprehur edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar.
Sipas “Protothema”, përfshirja e sindikatave zgjeron mbështetjen për studentët dhe shton presionin ndaj qeverisë Rama, ndërsa kërkesat për llogaridhënie mbi dhunën e pretenduar policore i japin krizës edhe një dimension gjyqësor.


