Reshje që në orët e para, ja zonat ku shiu do të jetë më i dendur, moti sot, 22 tetor 2026

Moti gjatë ditës së enjte do të vijojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme, të cilat do të sjellin vranësira dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit.
Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak (SHMU), reshjet pritet të jenë të pranishme që në orët e para të 24-orëshit dhe deri në mëngjes, me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Në veriperëndim të vendit, reshjet mund të jenë me intensitet deri mesatar.
Gjatë ditës, reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme, kryesisht me intensitet të ulët dhe karakter lokal, veçanërisht në zonat veriore dhe pjesërisht në qendër të vendit.
Era do të fryjë nga kuadrati i jugut, me shpejtësi mesatare rreth 6 m/s. Herë pas here, kryesisht përgjatë vijës bregdetare, shpejtësia e erës pritet të arrijë deri në 10 m/s.
Në det pritet valëzim i ulët, i forcës 1-3 ballë. Sa i përket temperaturave, minimumi pritet të jetë 9°C, ndërsa maksimumi do të arrijë deri në 24°C.


