Reagon zëvendëskryeministrja Koçiu: E papranueshme, dhuna ndaj punonjësve të policisë duhet dënuar me forcë

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas akteve të dhunshme të mbrëmjes së sotme gjatë protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku një efektiv i Policisë së Shtetit u përfshi nga flakët pas hedhjes së një molotovi.
Koçiu e cilësoi situatën të papranueshme dhe të pajustifikueshme, duke dënuar dhunën ndaj punonjësve të Policisë dhe duke u bërë thirrje aktorëve politikë, mediave dhe shoqërisë që të mbajnë një qëndrim të qartë kundër saj.
Megjithatë, ndërsa zëvendëskryeministrja kërkon distancim të menjëhershëm nga dhuna ndaj efektivëve, në reagimin e saj nuk përmenden incidentet e raportuara ndaj protestuesve, përfshirë studentët që janë përballur me forcën e Policisë gjatë tubimit.
Gjatë protestës së kësaj të shtune, mediat raportuan për përdorimin e plumbave të gomës nga efektivët në drejtim të protestuesve pranë Ministrisë së Arsimit. Disa të rinj deklaruan se ishin goditur, ndërsa pamjet e publikuara nga mediat ndërkombëtare dokumentuan përdorimin e armëve nga Policia drejt turmës. Më vonë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, konfirmoi përdorimin e plumbave të gomës, duke deklaruar se ato ishin përdorur në mënyrë të kufizuar dhe me pajisje të certifikuara.
Po ashtu, gjatë ditëve të protestave janë publikuar pamje dhe dëshmi për dhunën ndaj të rinjve nga efektivë të Policisë, përfshirë raste të ndjekjes dhe goditjes së protestuesve. Këto raportime kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si është ushtruar forca dhe mbi nevojën për të hetuar çdo rast të dyshuar shkeljeje.
Në reagimin e saj, Koçiu theksoi se e drejta për të protestuar është një parim demokratik, por nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën ndaj punonjësve që kanë për detyrë të garantojnë rendin dhe sigurinë publike.
“Demokracia nuk mbrohet duke goditur ata që kanë detyrën të garantojnë rendin dhe sigurinë e të gjithëve”, u shpreh ajo, duke shtuar se “asnjë kauzë, asnjë bindje dhe asnjë interes politik nuk mund të justifikojë dhunën”.
Por, në një situatë ku raportohen të lënduar si nga radhët e Policisë, ashtu edhe mes protestuesve, mbetet e rëndësishme që çdo rast dhune të trajtohet me të njëjtin seriozitet dhe që pretendimet për përdorim të tepruar të forcës të hetohen nga autoritetet.


