Reagon sërish Rama për protetën, viziton kioskën e djegur: Nuk është dora e studentëve, por e opozitës

Kryeministri Edi Rama ka zbritur për të dytin mëngjes në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pas protestës së tretë studentore dhe përleshjeve të dhunshme me policinë.
Rama ndodhej në një nga kioskat e djegura gjatë ditës së djeshme, teksa thotë se kjo nuk është dorë e studentëve. Ai thotë se kjo është dora e opozitës që ka marrë peng qytetin me maska dhe që po keqpërdor të rinjtë, përcjell Shekulli.
Kryeministri flet edhe për një dorë të huaj që ka gisht në këtë agjendë dhe që nuk e do Shqipërinë të qetë dhe pjesë të BE-së.
“A ju duket rastësi që sapo Shqipëria çel një tjetër dritë jeshile, sapo mbyll një tjetër Kapitull, sapo afrohet më shumë drejt asaj ambicie, objektivi historik, këtu plas flaka? E gjithë kjo që po ndodh nuk është rastësi. Kjo që po ndodh është test i karakterit tonë”, thotë Rama.
Pjesë nga reagimi i kryeministrit:
Përballuam një tërmet me pasoja, ruajna Zot ku e ku më të mëdha dhe ia dolëm së bashku dhe sot ata që humbën shtëpinë për 30 sekonda, jetojnë në shtëpi më të mira e më të forta. Si mund të jenë studentët, si mund të jetë investimi i prindërve te fëmijët e tyre kjo gërmadhë? E gjithë kjo flamë nuk është flamë studentore.
E gjithë kjo pengmarrje e qytetit në maska nuk ka të bëjë me hallet e problemet e dikujt që do një jetë më mirë. E gjithë kjo është po ajo dorë që ka kapur për fyti opozitën shqiptare që ka djegur Shqipërinë dhe është gati ta djegë përsëri për të mos e lënë të bëjë përpara nga urrejtja më e verbër. Këta nuk janë studentët, as ata që marrin peng gjatë ditës nuk janë studentët dhe as ata që në mbrëmje predikojnë lëvizjen, përpjekjen, revoltën studentore, nuk kanë të bëjnë me ju.
Si mund të nxirren të miturit në rrugë, të vënë maska, të shkulin trotuaret dhe qëllojnë policinë? Si mund të rrezikohet jeta e të miturve si një lukuni e verbër për axhendë të tjetërkujt? Sot mbështetet nga duar të tjera, të huaja që s’e duan Shqipërinë të qetë, të shohë drejt dhe të ecë përpara, që nuk e duan pjesë të familjes së bashkuar europiane, aty ku do të shpëtojë njëherë e përgjithmonë nga këto duar dhe zgjedha e zgjedhës së detyruar. Nuk e duan Shqipërinë të lirë. Ju duket rastësi që sapo Shqipëria çel një tjetër dritë jeshile, afrohet më shumë drejt objektivit historik, këtu plas flaka? Nuk është aspak rastësi.
E gjithë kjo që po ndodh është sprovë, test i karakterit tonë dhe një tjetër hap që ne do ta hedhim së bashku përballë një pengese që na është vënë përpara. Studentët, sipërmarrësit, kanë të drejtë të kërkojnë më shumë ndërkohë që problemet janë aty, duhen adresuar ndërkohë që përpiqemi të bëjmë më të mirën, të mësojmë më shumë dhe të bëjmë më mirë. E kemi sjellë Shqipërinë e Tiranën deri këtu, këtë e ka sjellë një punë këmbëngulëse.
Kush thotë le të përkulemi përballë dhunës për pakëz qetësi, gabon. Kjo do të thotë ta humbësh rrugën për një kohë të gjatë. Ka qenë Shqipëria e përkulur përballë dhunës dhe s’ka arritur asgjëkund. Motra e vëllezër, durim se kjo do të kalojë dhe do të dalim më të fortë dhe të vetëdijshëm.


