Rama kërkon sërish dialog me protestuesit

Rama kërkon sërish dialog. Kreu i qeverisë ka vendosur sërrish karrige në sheshin para Kryeministrisë.
“Ka 1001 pakënaqësi, halle e probleme, arsye për të protestuar. Por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun mes njerëzish që ndajnë të njëjtin atdhje, që duan të njëjtën gjë, si ta bëjmë Shqipërinë më të mirë.
Dhuna është krim i ndëshkueshëm. Dje, dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot dialogu është këtu përsëri. Përgjigja do të jetë ligjore, do të jetë financiare. Kush shkatërron, do të paguajë. Shqipëria është e të gjithëve”, tha ai.
Postimi:
Kërkesa për dialog vijon - Dita 2
Kryeministri Edi Rama: Ka 1001 pakënaqësi, 1001 halle, 1001 probleme. Mund të ketë dhe 1001 arsye për të protestuar, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën.
Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun, për dialogun mes njerëzish që ndajnë të njëjtin atdhe, mes njerëzish që kanë të njëjtën shtëpi të përbashkët, mes njerëzish që duan të njëjtën gjë në fund të fundit, si ta bëjmë Shqipërinë më të mirë.
E drejta e protestës është e pamohueshme.
Dhuna është krim i ndëshkueshëm.
Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës.
Sot dialogu është këtu përsëri.
Dora ime është e shtrirë për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga unë dhe që mendojnë ndryshe nga shumica e terrorizuar nën trysinë e dhunës.
Por në të njëjtën kohë çdo gjë që kërkojmë të bëjmë më mirë, çdo gjë që kërkojmë të bëjmë më shumë, çdo gjë që kërkojmë të bëjmë më shpejt bëhet me punë, bëhet me të ardhurat nga puna, bëhet duke i çuar ato të ardhura aty ku janë problemet që kërkojnë zgjidhje.
Distancohuni nga dhuna dhe nga ana tjetër çdo dhunues do të marrë përgjigjen.
Përgjigja nuk do të vonojë dhe do të jetë konstante. Përgjigja do të jetë ligjore.
Përgjigja do të jetë financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët do të paguajë. Kush dëmton pasurinë e tjetrit do të paguajë.
Shqipëria është e të gjithëve. Në Shqipëri secili do ta ketë vendin e vet, por nga ana tjetër liria e askujt nuk mund të shtrihet aty ku fillon liria e të tjerëve.
E drejta e askujt nuk mund të imponohet aty ku të tjerët kanë të drejtë të jetojnë nën qiellin e përbashkët të bashkëjetesës demokratike dhe të bashkëjetesës paqësore.


