'Rama duhet të largohet'/ Mjekja Amarda Cenko: Kolegët kërcënohen me vendin e punës që të mos protestojnë

Mjekja Amarda Cenko ka denoncuar presionin dhe frikën që, sipas saj, po përjetojnë punonjësit e sistemit shëndetësor për shkak të protestave kundër qeverisë. Në një intervistë televizive Cenko deklaroi se shumë prej kolegëve të saj nuk kanë marrë pjesë në tubime nga frika se mund të humbasin vendin e punës.
Ajo u shpreh se i është bashkuar protestës jo vetëm si mjeke, por edhe si qytetare dhe nënë që shqetësohet për të ardhmen e fëmijëve të saj. Sipas Cenkos, protestuesit kërkojnë ndryshimin e një sistemi që, siç tha ajo, ka prodhuar skandale dhe pasoja të rënda për qytetarët gjatë viteve të qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
Duke u ndalur te situata në sistemin shëndetësor, ajo deklaroi se disa kolegë e kanë përgëzuar për pjesëmarrjen në protestë, por i kanë shprehur pamundësinë për t’u bashkuar për shkak të frikës nga pasojat në punë.
“Jam në protestë si mjeke. Sot jam si qytetare e një vendi që kërkon t’i aderohet Europës dhe si një nënë që ka fëmijë për të rritur.
Protestën e nisëm në mënyrë paqësore, edhe sot protesta ka qenë paqësore.
Si nënë, javën e kaluar e frenova tim bir të mos ishte në protestë. Po kalojmë momente terrori dhe dhune psikologjike, përveç asaj fizike. Sot jemi solidarizuar me studentët, kërkohet ndryshimi i sistemit. Pas 15 vitesh, kjo qeveri ka pasur skandale dhe dëme që i kemi vuajtur ne, ndaj kjo kërkesë është legjitime.
Grupet e ndihmës së shpejtë janë penguar të japin ndihmën e shpejtë në protestë. Bëhet fjalë për studentët. Kolegët tanë janë stepur dhe intimiduar që të mos jenë pjesë e protestës. Për ata që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sistemin publik, frika ka qenë ndërprerja e marrëdhënieve të punës, kërcënimi me humbjen e vendit të punës.
Kur flet me dikë në përditshmëri, lexon reagime të ndryshme të njerëzve. Jo më larg se sot, në mjedisin tonë kisha kolegë që na lavdëruan për iniciativën, por vetë nuk mund të vinin. Kjo është lehtësisht e lexueshme”, tha ajo.


