Protestat në Tiranë rrezikojnë Egnatia – Midtjylland, nesër merret vendimi përfundimtar

Sport

Protestat në Tiranë rrezikojnë Egnatia – Midtjylland,

Egnatia – Midtjylland, ndeshja e parë e fazës së ligës në UEFA Conference League, e programuar për t’u luajtur të enjten në orën 18:30 në Tiranë, është në rrezik të madh anulimi.

Protestat e dhunshme në kryeqytet gjatë dy ditëve të fundit mund të bëjnë që ndeshja e parë historike e rrogozhinasve në Europë të shtyhet për një datë tjetër.

Për shkak të incidenteve të rënda të mbrëmjes së kësaj të mërkure në Tiranë, dhe sidomos të gazit lotsjellës të hedhur nga policia në përpjekje për të shpërndarë studentët dhe protestuesit e tjerë përpara Kryeministrisë, stërvitja e fundit e skuadrës daneze zgjati vetëm pak minuta, ndërsa seanca e fundit e Egnatias nuk u zhvillua fare.

Për këtë arsye, Egnatia, FSHF-ja dhe UEFA janë në kontakt të vazhdueshëm edhe me Policinë e Shtetit, për të koordinuar qasjen ndaj situatës dhe për të marrë më pas një vendim përfundimtar.

Zyrtarë të klubit Egnatia kanë bërë të ditur për Vizion Plus se të enjten paradite, maksimumi deri në orën 09:30, do të ketë një vendimmarrje.

Nëse edhe të enjten do të ketë vijim të protestave studentore, shanset që ndeshja Egnatia – Midtjylland të luhet në stadiumin kombëtar në Tiranë janë thuajse zero.

Edhe zhvendosja e ndeshjes në një stadium tjetër, në Elbasan ose Shkodër, nuk është një opsion, për arsye marketingu.

ME TE LEXUARAT