Protesta, zjarr te ministritë, “breshëri” fishekzjarresh në selinë e PS-së dhe Bankës së Shqipërisë, policia me gaz e plumba gome

Protestat e sotme i nisi ajo e deputetëve dhe militantëve të Partisë Demokratike. Ata u grumbulluan fillimisht para selisë së PD dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.
Ndërsa protesta e të rinjve nisi në Rrugën e Durrësit, rreth orës 14:00, ku nisën të qëllojnë më gurë drejt mistrisë se Arsimit dhe efektivëve që kishin krijuar disa kordone në këtë aks. Të rinjtë protestues u vunë flakën disa koshave që ia afruan efektivëve për t’i bllokuar, por këta të fundit u kundërpërgjigjën me ujë dhe gaz lotsjellës e për pasojë, ia dolën që brenda minutash të boshatisnin Rrugën e Durrësit.
Të shpërndarë në disa grupe, protestuesit vijuan përballjen me efektivët në sheshin Skënderbej dhe më pas u rigrupuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë, ku u zhvillua një nga përplasjet më të forta që prej datën 13 tetor kur nisi protesta e dhunshme.
Në rresht të parë të frontit u vendosën disa të rinj si grupi më aktiv i protestuesve që hodhën molotov drejt frotit të Policisë, që kishte angazhuar rreth 2000 forca në terren. Për të zprapsur protestuesit, përdorën autobotët ujëhedhës, plumbat e gomës, spraj me piper dhe gaz lotsjellës në masë.
Protestuesit u shpërndanë në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke krijuar disa fronte ‘lufte’, ku herë përparonin protestuesit dhe herë avanconin policët.
Një nga dyert e Mistrisë së Bujqësisë u përfshi nga flakët, që u vunë nën kontroll më pas nga zjarrfikësit.
Qetësi nuk pati as në rrugën e Myslym Shyrit, ku banorët dhe bizneset u gjetën të papërgatitur kur policia marshoi në ndjekje të protestuesve, por pa shkaktuar incidente në zonë.
Beteja vijoi gjatë pasdites kryesisht në sheshin Skënderbej, ku të rinj të maskuar e me shkopinj u përplasën me policët, ndërsa tymueset e këtyre të fundit u kthyen në një lojë ping-pongu mes dy palëve.
Një prej protestuesve dhe një efektiv u përfshinë nga flakët dhe morën ndihmë nga kolegët, ndërsa në spital u paraqitën për ndihmë mjekësore një deputet, katër protestues, një polic, dy përfaqësues të medias.
Gjatë pasdites protestuesit sulmuan me breshëri fishekzjarrësh selinë e Partisë Socialiste, ndërsa fishekzjarrë u hodhën edhe në drejtim të efektivëve të policisë pranë Bankës së Shqipërisë. Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, në përpjekje për të larguar protestuesit nga zona.
Tensionet u shoqëruan edhe me akte të tjera shkatërrimi në kryeqytet. Një kioskë pranë qendrës së Tiranës u përfshi nga flakët pasi protestuesit i vunë zjarrin. Gjithashtu, protestuesit u vunë flakën kazanëve të mbeturinave dhe thyen xhamat e disa bizneseve, mes tyre edhe të një banke të nivelit të dytë në zonën e “Vasil Shantos”.
Përplasjet e pasdites sollën edhe persona të lënduar. Mes tyre janë dy qytetarë që kanë marrë plagë në trup nga plumbat e gomës gjatë përplasjeve me policinë.
Krahas të rinjve dhe studentëve, protestës sot iu bashkuan pedagogë, mjekë dhe sindikata e biznesit të vogël, Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias, por edhe demokratët, që gjatë paradites zhvilluan një tubim paqësor pranë Kryeministrisë, ku i vetmi incident ishte djegia e shilteve të vendosura nga kryeministri Edi Rama si ftesa e katërt për dialog./tch